Greqia qëllon mbi anijen “e dyshimtë” turke, përshkallëzohen tensionet
Anijet e rojes bregdetare greke kanë hapur zjarr ndaj një anijeje mallrash që ishte duke lundruar në ujërat ndërkombëtare në Detin Egje, duke përshkallëzuar kështu edhe me tej tensionet me Turqinë.
Sipas Al Jazzera, roja bregdetare turke ka njoftuar se nga të shtënat nuk ka pasur viktima, ndërsa ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në jugperëndim të ishullit turk të Bozcaada.
“Pas zjarrit ngacmues nga dy anije greke, dy anije të rojes bregdetare turke shkuan në zonë dhe varkat greke u larguan,” ka njoftuar më tej roja turke.
Ndërkohë, roja bregdetare greke ka konfirmuar se ka gjuajtur “të shtëna paralajmëruese”..
Zona ku ka pasur të shtëna është e njohur për shumë anije që sjellin emigrantë nga Turqia në vendet e Bashkimit Evropian, Greqi dhe Itali. Prandaj, roja bregdetare greke thotë se kontrollon rregullisht anijet që sillen në mënyrë të dyshimtë në Egje.
Të përfshira në mosmarrëveshje
Dy vendet fqinje janë të përfshira në mosmarrëveshje për dekada dhe javët e fundit tensionet janë rritur edhe më shumë, me të dyja palët që pretendojnë shkelje të hapësirë ajrore.
E pas luftës së Rusisë në Ukrainë, zyrtarët grekë kanë ngritur shqetësime për një tjetër shpërthim konflikti në Evropë.
Ankaraja ka akuzuar Athinën për "pushtimin" e disa ishujve të Egjeut dhe për ngacmimin e avionëve turq me sistemet e mbrojtjes S-300 të prodhimit rus të stacionuar atje. Këto pretendime janë mohuar nga Athina.
Vetë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar Greqinë se do të paguajë një “çmim të rëndë” nëse vazhdon të ngacmojë avionët luftarakë turq mbi Egje, duke lënë të nënkuptohet se mund të ketë veprime ushtarake.
Në anën tjetër, Greqia thotë se duhet të mbrojë ishujt e saj lindorë, duke përfshirë pikat e nxehta turistike Rodos dhe Kos, të cilat janë shumë më afër Turqisë sesa me kontinentin grek.
