Komentet e Erdoganit, Greqia paralajmëron aleatët për konflikt të mundshëm me Turqinë
Qeveria e Greqisë u ka shkruar partnerëve të vendit në NATO, Bashkimit Evropian dhe kreut të Kombeve të Bashkuara, duke u kërkuar atyre që të dënojnë zyrtarisht komentet gjithnjë e më agresive nga zyrtarët në Turqinë fqinje dhe duke sugjeruar që tensionet aktuale dypalëshe mund të përshkallëzohen në konfliktin e dytë të hapur në tokën evropiane.
Sipas Associated Press, në letrat e dërguara ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias është shprehur se sjellja e rivalit historik të vendit të tij, Turqisë dhe aleatit të NATO-s duhet të censurohet nga të tre organet.
“Duke mos e bërë këtë në kohë ose duke nënvlerësuar seriozitetin e çështjes, ne rrezikojmë të jemi dëshimtarë sërish të një situate të ngjashme me atë që aktualisht po shpaloset në një pjesë tjetër të kontinetit tonë,” ka shkruar ministri grek duke iu referuar luftës në Ukrainë.
Letrat e Greqisë vijnë në një pikë të ulët në marrëdhëniet midis dy fqinjëve, të cilët janë të ndarë nga armiqësia shekullore dhe mosmarrëveshjet bashkëkohore, duke përfshirë kufijtë e Detit Egje dhe emigracionin.
Gjatë gjysmëshekullit të fundit Greqia dhe Turqia i janë afruar luftës tre herë.
Edhe ditën e martë, presidenti i Turqisë Erdogan përsëriti një kërcënim të fshehtë të pushtimit të bërë gjatë fundjavës, së cilit Athina iu përgjigj duke thënë se është e gatshme të mbrojë sovranitetin e saj.
Në letrat drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kreut të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe shefit të OKB-së, Antonio Guterres, Athina poashtu ka cituar referencat e Erdoganit për "pushtimin" grek të ishujve të Detit Egje që kanë qenë pjesë e Greqisë për dekada, dhe komentet ndaj popullit grek si "i poshtër."
“Udhëheqja turke me sa duket ka zgjedhur të paraqesë agresionin e ardhshëm si të përgatitur tashmë dhe, më e rëndësishmja, si një veprim të justifikuar,” ka thënë ministri.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të martën se Turqia "mund të vijë krejt papritur një natë" në përgjigje të kërcënimeve të perceptuara greke, duke sugjeruar se një sulm turk nuk mund të përjashtohet.
Ndërkohë, Ankaraja thotë se Greqia po shkel marrëveshjet ndërkombëtare duke mbajtur një prani ushtarake në ishujt afër vijës bregdetare të Turqisë në Egje. Ajo ka akuzuar gjithashtu mbrojtjen ajrore greke për bllokimin e avionëve luftarakë turq gjatë stërvitjeve të NATO-s mbi Mesdheun lindor.
Greqia thotë se duhet të mbrojë ishujt e saj lindorë – duke përfshirë pikat e nxehta turistike Rodos dhe Kos, të cilat janë shumë më afër Turqisë sesa me kontinentin grek – kundër fqinjit të saj më të madh dhe më të fortë ushtarakisht.
Dendias, të martën poashtu akuzoi Turqinë për kryerjen e 6,100 shkeljeve të hapësirës ajrore greke këtë vit, duke përfshirë 157 fluturime mbi territorin grek.


