Wikipedia sfidon urdhrin rus për të hequr informacionet e luftës në Ukrainë, gjobitet me mbi 80 mijë euro
Një gjykatë në Moskë, ka gjobitur fondacionin që zotëron Wikpedia-n për refuzimin e heqjes së artikujve në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës, krimet e luftës në Bucha dhe tema të ngjashme.
Deutche Welle shkruan se, fondacioni që zotëron Wikipedia njoftoi të hënën se ka paraqitur një apel kundër vendimit të gjykatës ruse, e cila e ka gjobitur me 83,260 euro pasi ka refuzuar të heqë informacionet në lidhje me luftën në Ukrainë.
Apeli i fondacionit argumenton se njerëzit kanë të drejtë për informacion të vërtetë rreth konfliktit, ndërsa, Gjykata e Moskës tha se gjoba ka të bëjë me atë që quan "dezinformim" në artikujt në gjuhën ruse.
Pse gjykata e Moskës gjobiti Wikipedia-n?
Artikujt e Wikipedia-s të konsideruar të dyshimtë nga gjykata fokusohen në tema të tilla të ndjeshme në Rusi si krimet e luftës të kryera nga forcat ruse në Bucha dhe më gjerë, si dhe vetë pushtimi, të cilin Rusia e quan një "operacion special ushtarak".
E pas një goditjeje të ashpër ndaj medias ruse, e cila përfshin një ndalim të raportimit të saktë të luftës, në dispozicion të publikut rus, Wikipedia mbetet një nga burimet e pakta të informacionit të kontrolluar nga faktet.
Në vendimin e saj, gjykata tha se informacioni i publikuar në Wikipedia "përbën një rrezik për trazira masive publike në Rusi".
Roskomnadzor, rregullatori rus i komunikimit, ngriti çështjen kundër Wikipedia-s, duke akuzuar se faqja e enciklopedisë e krijuar dhe e redaktuar nga përdoruesit është një furnizues i informacionit të ndaluar.
Cila është baza për apelin e Wikipedia-s?
Në një deklaratë, Fondacioni Wikimedia, tha se, "informacioni në fjalë është i bazuar në fakte dhe verifikohet nga vullnetarë që redaktojnë dhe përmirësojnë vazhdimisht artikujt në faqe; heqja e tij do të përbënte për rrjedhojë një shkelje të të drejtave të njerëzve për shprehje të lirë dhe akses në njohuri."
Ndërsa, Stephen LaPorte, këshilltari i përgjithshëm i fondacionit, shtoi se, "qeveria po synon informacione që janë jetike për jetën e njerëzve në një kohë krize."
Fondacioni Wikimedia e ka selinë në San Francisko, Kaliforni, dhe në apelin e tij, argumenton se gjykata ruse nuk ka juridiksion mbi faqen e cila është e disponueshme në më shumë se 300 gjuhë në mbarë botën.