Vrasja e presidentit të Haitit, ngrihet aktakuzë ndaj gruas së tij dhe ish-kryeministrit Joseph
Një gjykatës në Haiti, përgjegjës për hetimin e vrasjes së presidentit të Haitit, Jovenel Moise, në korrik të vitit 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj të vesë së tij, Martine Moise, ish-kryeministrit Claude Joseph dhe ish-komandantit të Policisë Kombëtare, Leon Charles, mes të tjerëve, sipas një raporti të siguruar të hënën.
Këto aktakuza pritet ta destabilizojnë më tej Haitin, përderisa vendi po ballafaqohet me shtim të dhunës së bandave dhe po rimëkëmbet nga një varg protestash të dhunshme me të cilat është kërkuar dorëheqja e kryeministrit të tanishëm, Ariel Henry, raporton agjencia “Associated Press”.
Dhjetëra të dyshuar akuzohen në raportin me 122 faqe të lëshuar nga Walther Wesser Voltaire, i cili është gjykatësi i pestë që po e udhëheq hetimin, pasi të mëparshmit kishin hequr dorë për arsye të ndryshme, përfshirë frikën se do të vriteshin.
Charles, i cili ishte komandant i policisë në kohën e vrasjes së presidentit Moise dhe tani shërben si përfaqësues i përhershëm i Haitit në Organizatën e Shteteve Amerikane, ngarkohet me akuzat më të rënda: vrasje, vrasje në tentativë, posedim dhe mbajtje ilegale e armëve, konspiracion kundër sigurisë së brendshme të shtetit, dhe shoqëri kriminale.
Ndërkohë, ish-kryeministri Joseph dhe bashkëshortja e presidentit të vrarë, e cila ishte plagosur gjatë sulmit, akuzohen për bashkëfajësi dhe shoqëri kriminale.
Charles nuk qe menjëherë i qasshëm për koment, ndërsa avokati i zonjës Moise nuk ktheu përgjigje ndaj një kërkese për koment.
Ish-kryeministri Joseph ndau një deklaratë me agjencinë AP duke e akuzuar kryeministrin e tanishëm, Henry, për “minimin” e hetimit dhe përfitim nga vdekja e presidentit.
“Henry... po e bën armë sistemin haitian të drejtësisë, duke ndjekur penalisht kundërshtarë politikë si unë. Është puç klasik. Ata dështuan që të na vrisnin mua dhe Martine Moise-n më 7 korrik 2021, tani po e përdorin sistemin haitian të drejtësisë për ta çuar përpara agjendën e tyre makiaveliste” – tha ai.
Joseph përsëri i bëri thirrje Henry-t që të japë dorëheqje dhe theksoi se gjatë kohës kur ende ishte kryeministër, ai e kishte ftuar FBI-në për t’i ndihmuar autoritetet lokale që ta hetonin vrasjen dhe u kishte shkruar OKB-së dhe OAS-it për ndihmë.