Vendet e G7 do të mbështesin Kievin "për aq kohë sa është e nevojshme "
Udhëheqësit e grupit G7 të vendeve të pasura kanë thënë se do të mbështesin Ukrainën për "për aq kohë sa duhet" në vazhdën e sulmeve të mëdha raketore ruse të së hënës.
Grupi, i cili u mblodh për bisedime virtuale emergjente, tha se do të vazhdojë të japë ndihma ushtarake dhe humanitare.
NATO tha gjithashtu se do të qëndrojë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Të paktën 19 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, pasi raketat ruse goditën rajone anembanë Ukrainës, përfshirë Kievin qendror.
Sulmet vazhduan edhe të martën, me civilët që u këshilluan të qëndronin në strehimoret e sulmeve ajrore.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmet ishin në hakmarrje për një goditje në një urë kyçe që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar, për të cilën ai fajësoi Ukrainën.
Udhëheqësit perëndimorë ishin të shpejtë për të dënuar përshkallëzimin rus dhe G7 të martën përsëriti angazhimin e saj ndaj Ukrainës.
“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje financiare, humanitare, ushtarake, diplomatike dhe ligjore dhe do të qëndrojmë me vendosmëri me Ukrainën për aq kohë sa të duhet”, tha grupi në një deklaratë.
Blloku dënoi gjithashtu përpjekjet e fundit të Putinit për të aneksuar katër rajone të Ukrainës me referendume të vetëquajtura. /Nacionale/