Vdes në moshën 100-vjeçare ish-sekretari i Shtetit i ShBA-së, Henry Kissinger
Ish-sekretari i Shtetit i ShBA-së, Henry Kissinger, i cili e kishte mbajtur pozicionin e kryediplomatit amerikan nën pushtetin e presidentit Richard Nixon, ka vdekur në moshën 100-vjeçare.
Kompania e tij konsultuese, “Kissinger Associates”, e njoftoi vdekjen e tij përmes një deklarate të mërkurën në mbrëmje, por nuk e zbuloi shkaktarin, raporton gazeta “The Guardian”.
Diplomati i njohur kishte këshilluar shumë presidentë vendesh gjatë karrierës së tij të gjatë, përfshirë presidentin aktual amerikan, Joe Biden, dhe ishte shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe për negociatat për t’i dhënë fund luftës së Vietnamit.
Sidoqoftë, trashëgimia e tij është karakterizuar edhe nga shpërfillja e të drejtave të njeriut dhe përpjekjet për t’i mbrojtur interesat e korporatave amerikane me çdo çmim.
Kundërshtarët e tij në pjesë të ndryshme të botës e kanë përshkruar si kriminel lufte. Kissingeri e kishte përkrahur edhe diktatorin ushtarak të Indonezisë gjatë pushtimit të Timorit Lindor, e kishte mbështetur pushtimin e Angolës nga regjimi i aparteidit në Afrikën e Jugut dhe kishte punuar me CIA-n për ta rrëzuar presidentin e Kilit, që ishte zgjedhur në mënyrë demokratike.
Kissingeri e kishte autorizuar edhe përgjimin e gazetarëve dhe të vetë stafit të tij.
Ai i kishte mbijetuar rënies së Nixonit gjatë skandalit “Watergate” dhe kishte shërbyer edhe gjatë pushtetit të Gerald Ford-it, duke u larguar nga qeveria vetëm pas fitores së Jimmy Carter-it më 1977.
Kissingeri kishte pikëpamje kritikuese ndaj përfshirjes së vendeve perëndimore në Kosovë. Në veçanti, ai kishte qëndrim përçmues për Marrëveshjen e Rambujesë.
“Teksti i Rambujesë, i cili i bëri thirrje Serbisë për t’i pranuar trupat e NATO-s nëpër mbarë Jugosllavinë, ishte provokim, justifikim për ta filluar bombardimin. Rambujeja nuk është dokument që ndonjë serb do të mund ta kishte pranuar. Ishte dokument i tmerrshëm diplomatik që nuk do të duhej të prezantohej asnjëherë në atë formë”- kishte thënë Kissingeri në qershor të vitit 1999 në gazetën “Daily Telegraph”.
