Vazhdon rritja e vlerës së “Bitcoin”-it, shënohet rekord i ri
Vlera e kriptovalutës “Bitcoin” është ngritur në nivel të ri rekord, duke e vazhduar trendin pozitiv që e ka sjellë ngritjen e çmimit të saj për më shumë se 50 për qind që nga fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së më 5 nëntor.
Kriptovaluta më e madhe në botë për një kohë të shkurtër e tejkaloi vlerën prej 106.000 dollarësh për njësi, duke rënë më pas në rreth 105.000 dollarë në tregtinë aziatike të hënën, raporton televizioni BBC.
Administrata në ardhje e Trumpit shihet si shumë më miqësore ndaj kriptovalutave se Shtëpia e Bardhë e udhëhequr nga presidenti në largim, Joe Biden.
Të enjten, presidenti i zgjedhur e përsëriti qëndrimin e tij se është duke e shqyrtuar themelimin e një rezerve kombëtare të valutës dixhitale, të ngjashme me rezervën strategjike të naftës.
“Shumë investitorë besojnë se vlera prej 120.000 dollarësh është e arritshme deri në fund ët vitit dhe pastaj më 2025 ka fjalë për më shumë se 150.000 deri në mesin e vitit” – i tha televizionit BBC Peter McGuire nga platforma tregtare “XM.com”.
Më herët këtë muaj, Turmpi e emëroi ndërmarrësin David Sacks si shef për inteligjencë artificiale dhe kriptovaluta.
Sacks më parë ka mbajtur pozitë ekzekutive në kompaninë “PayPal” dhe është mik i ngushtë i këshilltarit dhe donatorit të madh të Trumpit, miliarderit Elon Musk.
Trumpi gjithashtu ka thënë se do ta nominojë figurën pro-kriptovalutave, Paul Atkins, si udhëheqës të ri të rregullatorit të “Wall Street”-it, Komisioni për Sigurime dhe Shkëmbim (SEC).