Ushtria ruse thotë se e ka marrë nën kontroll qytezën Niu-York të Ukrainës
Ushtira ruse tha të martën se forcat e saj e kishin marrë kontrollin e asaj që e përshkroi si qendër logjistike me rëndësi strategjike, Niu-York, në lindje të Ukrainës.
Fati i këtij vendbanimi, të cilin nuk mund ta konfirmonte në mënyrë të pavarur agjencia “Reuters”, është përkujtim se forcat ruse po e vazhdojnë nismën e tyre sulmuese në lindje të Ukrainës edhe në kohën kur trupat ukrainase po synojnë që të avancojnë në rajonin Kursk të Rusisë pas sulmit të befasishëm që e nisën me 6 gusht.
Rusia e quan “Novgorodskoye” qytezën Niu-York.
“Si rezultat i veprimeve intensive nga njësitet e “Grupit të Qendrës”, një grup i madh i trupave të armikut u shtyp dhe njëri prej vendbanimeve më të mëdha në aglomeratin Toretsk dhe qendrën logjistike me rëndësi strategjike, Novgorodskoye... u çlirua” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë.
Ushtria ukrainase nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment për statusin e tanishëm të këtij vendbanimi.
Me popullsi prej pak më pak se 10 mijë banorësh para luftës, Niu-Yorku shtrihet në linjën hekurudhore për në Sloviansk, njëri nga qytetet në lindje të Ukrainës që Moska për një kohë të gjatë ka dëshiruar që ta marrë nën kontroll.
Ushtria ukrainase tha më herët të martën se luftime të ashpra ishin duke u zhvilluar në sektorin e Toretskut, përfshirë Niu-Yorkun, në kohën e raportimeve nga blogerët ushtarakë rusë se forcat e Moskës ishin të përfshira në përmbylljen e operacioneve në Niu-York.
Në një raport të mëngjesit, grupi i forcave “Khortytsia” të Ukrainës tha në rrjetin “Telegram” se forcat ruse ishin përpjekur që të avanconin 24 herë në zona të ndryshme, përfshirë qytezën Niu-York.
Të hënën, Vladimir Rogov, zyrtar i përkrahur nga Rusia, publikoi një video të një ushtari rus duke vendosur një flamur të Rusisë mbi një objekt që dukej si ndërtesë administrative në Niu-York, ndërsa një flamur i djegur ukrainas shihej në trotuar./Nacionale