Ushtria izraelite vret një grua palestineze, thotë se ajo tentoi të therte një ushtar
Një grua palestineze, me thikë në dorë, kërcënoi një ushtar izraelit në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe u qëllua për vdekje të mërkurën, tha ushtria izraelite. Sidoqoftë, ky përshkrim i ngjarjes u kundërshtua nga zyrtarët palestinezë.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se “një sulmuese e armatosur me thikë avancoi drejt një ushtari të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, i cili ishte duke kryer veprimtari rutinore të sigurisë” afër fshatit Al Aroub. “Ushtari u kundërpërgjigj me zjarr”, thuhet në deklaratë.

Një spital në qytetin palestinez, Hebron, e konfirmoi vdekjen e gruas. Ministria e Jashtme e Palestinës e dënoi vrasjen duke e cilësuar “ekzekutim fushor”.
“Ajo ishte rrugës për në punë dhe atje nuk kishte incidente ose rrezik për kriminelët”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.

Klubi i të Burgosurve Palestinezë, organizatë që e vëzhgon mirëqenien e palestinezëve të burgosur nga Izraeli, tha se gruaja 31-vjeçare ishte burgosur për një kohë të shkurtër nga autoritetet izraelite këtë vit.
Dhuna në territoret ku palestinezët kërkojnë shtet, është përkeqësuar që nga dështimi i bisedimeve të paqes më 2014. Në javët e fundit është shënuar eskalim i ri me disa sulme vdekjeprurëse palestineze brenda Izraelit.