Ushtarët rusë pa rrugëdalje, bëjnë martesa të rreme për t'i shpëtuar luftës në Ukrainë
Inteligjenca e Ukrainës ka zbuluar se trupat ruse janë duke kërkuar dëshpërimisht mënyra për të dalë nga Ukraina, me disa prej tyre që kanë organizuar martesa false për t’u liruar.
Një regjistrim i përgjuar i një bisede midis një ushtari rus dhe mikut të tij zbuloi se shumë kishin bërë tashmë përpjekje të pasuksesshme për t'u shkarkuar nga detyra.
Në përgjime, rusi degjohej të thoshte: Ose plagosesh, vritesh ose ka një urdhër zyrtar për t'u tërhequr. Ai shtoi se ai vetë kishte tentuar të organizonte një martesë të rreme në përpjekje për t'i shpëtuar konfliktit.
"Të gjithë këtu po përpiqen në çdo mënyrë të mundshme për të dalë... por nuk ka asnjë mënyrë."
Daily Mail shkruan se përgjimet audio janë publikuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, ku një zëdhënës i shërbimit tha se një numër në rritje i ushtarëve rusë po kërkojnë justifikime për t'u kthyer në shtëpi.
Sipas një telefonate tjetër të përgjuar nga shërbimi inteligjent, një burrë që besohet të jetë një ushtar rus dëgjohet të thotë se nuk kanë furnizim me ujë. "Ne jemi ulur këtu pa ujë. Kohët e fundit ka qenë nxehtë. Tani ka vapë dhe djemtë janë gjithashtu të tronditur.”
Ai u dëgjua gjithashtu të thoshte se ushtarët po mbajnë të veshura të njejtat uniforma që mbanin në dimër.
Ndërsa në një videoklip tjetër nga departamenti i inteligjencës i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, shihej një ushtar rus duke i thënë një të afërme femër se “shumica e burrave në njësinë e tij po refuzonin të luftonin dhe po përpiqeshin të largoheshin përtej kufirit rus.”
Ndërsa, sa u përket luftimeve, në fjalimin e tij të martën mbrëma, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se forcat ruse nuk kanë bërë përparime të rëndësishme në rajonin lindor të Donbasit gjatë ditës së kaluar dhe se "mbrojtja heroike e Donbasit vazhdon".
Zelensky shtoi se rusët qartësisht nuk prisnin të përballeshin me kaq shumë rezistencë dhe tani po përpiqen të sjellin trupa dhe pajisje shtesë. Ai tha se e njëjta gjë po ndodhë edhe në rajonin jugor të Khersonit, të cilin trupat ruse e pushtuan në fillim të luftës.
Presidenti deklaroi gjithashtu se Ukraina planifikon të nxjerrë një 'listë të veçantë të xhelatëve' javën e ardhshme me informacione të konfirmuara për krimet e luftës të kryera nga ushtria ruse. Ai tha se të përmendurit do të përfshijnë jo vetëm ata që kryen krime lufte, por edhe komandantët e tyre.