UNICEF: Izraeli po i bllokon pajisjet, foshnjat në Gaza detyrohen t’i ndajnë maskat e oksigjenit - NACIONALE

UNICEF: Izraeli po i bllokon pajisjet, foshnjat në Gaza detyrohen t’i ndajnë maskat e oksigjenit

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Izraeli në mënyrë të përsëritur ka refuzuar të lëshojë leje për transferimin e inkubatorëve nga një spital i evakuuar në pjesën veriore të Gazës, tha të martën agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, duke ua shtuar trysnin spitaleve të stërngarkuara në pjesët më jugore të enklavës, ku foshnjat e porsalindura tani po i ndajnë maskat e oksigjenit.

Dy vjet luftë mes Izraelit e Hamasit e kanë rritur nivelin e stresit dhe të kequshqyerjes në mesin e grave shtatzëna, duke çuar në shtim të lindjeve të parakohshme dhe foshnjave nën peshë normale, të cilat, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tashmë përbëjnë një të pestën e të gjithë të porsalindurve në Gaza, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Muajin e kaluar, një sulm izraelit ndaj Qytetit Gaza, në pjesën veriore të enklavës, shkaktoi mbyllje të spitaleve në të zonë, duke e përkeqësuar mbingarkesën në spitalet që mbeten të hapura në jug.

James Elder, zëdhënës i UNICEF-it, tha se nëna e foshnja po bëhen rresht në dyshemetë e korridoreve të spitalit “Nasser” në jug të Gazës, duke shtuar se foshnjat e porsalindura po detyrohen që t’i ndajnë maskat e oksigjenit dhe shtretërit. Ndërkohë, pajisje jetike kanë mbetur të bllokuara në spitalet që janë mbyllur në pjesën veriore të enklavës.

“Ne po mundohemi që të nxjerrim inkubatorë nga një spital që ishte evakuuar në veri dhe na janë mohuar katër misione thjesht për t’i marrë ata inkubatorë” – i tha ai agjencisë “Reuters” përmes video-lidhjes nga Gaza, duke iu referuar pajisjeve që kanë mbetur të bllokuara në Spitalin e Fëmijëve “Al-Rantissi”, i dëmtuar nga lufta në Qytetin Gaza.

Në një spital që zëdhënësi i UNICEF-it e vizitoi në jug, në ndërkohë, Elder tha se “në njërën nga dhomat e pediatrisë, ishin tri foshnja dhe tri nëna në një shtrat të vetëm, një burim oksigjeni dhe nënat e ndërronin oksigjenin nga 20 minuta për secilën foshnjë. Ky është niveli i dëshpërimit nëpër të cilin detyrohen të kalojnë nënat.”

Agjencia izraelite që e mbikëqyr rrjedhjen e ndihmave, COGAT, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment rreth fjalëve të zëdhënësit të UNICEF-it. Izraeli thotë se është i përkushtuar që të lejojë dërgesa ndihmash në Gaza, por se duhet t’i kontrollojë ato për ta parandaluar rënien në duart e Hamasit, të cilin e fajëson për krizën.

Zyra humanitare e OKB-së tha të martën se Izraeli ose i ka ndaluar, ose i ka penguar 45 për qind të 8.000 misioneve humanitare për të cilat ka bërë kërkesë brenda Gazës nga 7 tetori i vitit 2023./Nacionale

Lajme të ngjashme