UNICEF-i: Gaza, vendi më i rrezikshëm në botë për të qenë fëmijë - NACIONALE

UNICEF-i: Gaza, vendi më i rrezikshëm në botë për të qenë fëmijë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Organizata e OKB-së për fëmijët, UNICEF, e ka përshkruar Rripin e Gazës si “vendi më i rrezikshëm në botë për të qenë fëmijë” në një deklaratë të lëshuar pas një vizite në enklavë nga nëndrejtori ekzekutiv i saj, Ted Chaiban.

Ky zyrtar porsa ka përfunduar një vizitë treditore në Rripin e Gazës, ku ka arritur të bashkërendohet me organizata lokale e ndërkombëtare për reagimin urgjent dhe t’i shohë operacionet humanitare që nga hera e fundit kur ishte aty, para dy muajve, raporton gazeta “The Guardian”.

Në deklaratën e publikuar në uebfaqen e UNICEF-it, Chaiban-i tha se kishte takuar “fëmijë e familje të tyre, duke vuajtur në disa nga kushtet më të tmerrshme që kam parë ndonjëherë”.

“Që nga vizita ime e fundit, situata është shndërruar nga katastrofalja në afër kolapsit. UNICEF-i e ka përshkruar Rripin e Gazës si vendin më të rrezikshëm në botë për të qenë fëmijë. Ne kemi thënë se kjo është luftë ndaj fëmijëve, por të vërtetat nuk duket që po kalojnë”- shtoi ai.

Nga gati 25 mijë njerëzit që raportohet të jenë vrarë në Rripin e Gazës nga fillimi i luftës, deri në 70 për qind prej tyre raportohet të jenë gra e fëmijë, tha ai. “Vrasja e fëmijëve duhet të ndalet menjëherë”- thuhet në deklaratën e zyrtarit të UNICEF-it.

Më tej, aty përmenden takimet e tij me fëmijë të plagosur, si Ibrahimi 13-vjeçar, i cili i ishte nënshtruar amputimit të krahut pa anestezion, pasi kishte pësuar gangrenë për shkak të mungesës së ilaçeve për dorën e tij të infektuar e të dëmtuar. Ai ishte “në një strehimore të përcaktuar me familjen e tij, në një zonë e cila u ishte thënë se ishte e sigurt, kur gjithçka u shemb përreth tyre”, theksoi zyrtari.

Sipas tij, rastet e diarresë kishin shënuar rritje për 40 për qind në krahasim me dy muaj më parë, para eskalimit të armiqësive, duke shtuar se deri në mesin e dhjetorit, 71 mijë raste ishin regjistruar në mesin e fëmijëve nën moshën 5-vjeçare, rritje për mbi 4.000 për qind nga fillimi i luftës.

Lajme të ngjashme