Ukrainës i refuzohet kërkesa nga një shtet i madh për ta arrestuar Putinin gjatë vizitës
Presidenti i Meksikës të enjten refuzoi një kërkesë nga Qeveria e Ukrainës për ta arrestuar Vladimir Putinin, nëse presidenti rus sfidon një urdhërarrest ndërkombëtar dhe merr pjesë në inaugurimin e presidentes së re të Meksikës në tetor.
“Ne nuk mund ta bëjmë atë [arrestimin e Putinit]. Nuk varet nga ne” – tha në një konferencë të rregullt për gazetarë presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, raporton agjencia “Reuters”.
Ukraina kërkoi nga Meksika që ta arrestonte Putinin, nëse ai merr pjesë në ceremoninë e betimit të presidentes së zgjedhur, Claudia Sheinbaum, më 1 tetor. Në kërkesën e paraqitur përmes një deklarate të ambasadës së Ukrainës në Meksikë, përmendej urdhërarresti i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP).
Ekipi i zonjës Sheinbaum e ka ftuar presidentin rus për të marrë pjesë në inaugurim, duke theksuar më herët këtë javë se u kishte dërguar një “njoftim diplomatik” të gjitha shteteve me të cilat Meksika mban marrëdhënie diplomatike.
“Ne shpresojmë që qeveria meksikane është e vetëdijshme që Vladimir Putini është kriminel lufte me urdhërarrest kundër tij” – tha ambasada e Ukrainës në deklaratën e saj, duke argumentuar se presidenti rus dyshohet se i ka urdhëruar rrëmbimin e fëmijëve ukrainas dhe dërgimin e tyre në Rusi.
Më tej, në deklaratë shprehej besim se qeveria meksikane do ta respektonte urdhërarrestin ndërkombëtar kundër Putinit.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhërarrest për Putinin vitin e kaluar, duke e akuzuar për krim lufte për dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina në Moskë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në fillim të vitit 2022.
Rusia nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, por Meksika po.
Në qershor, Putini e uroi zonjën Sheinbaum, aleate e Obradorit, për fitoren në zgjedhje. Në atë kohë, kreu i Kremlinit e quajti Meksikën “partnere historikisht miqësore e Rusisë në Amerikën Latine”.
Para disa ditëve, Mali dhe Nigeri, shtete të mëdha afrikane, njoftuan për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Ukrainën, pasi inteligjenca ushtarake e saj pretendoi se kishte rol në sulmin e rebelëve ndaj ushtarëve të Malit dhe luftëtarëve të grupit rus "Wagner"./Nacionale