Ukraina: Rusisë i mungojnë pajisjet për ta rinisur sigurt punën në centralin bërthamor në Zaporizhia
Centrali më i madh bërthamor në Evropë, i kapur nga forcat ruse në ditët e para të luftës në Ukrainë, mund ta rifillojë punën në mënyrë të sigurt vetëm nëse kthehet nën kontrollin ukrainas, tha të martën kreu i operatorit të energjisë bërthamore në Ukrainë.
Gjashtë reaktorët në centralin e energjisë bërthamore në Zaporizhia janë ndalur që nga koha kur forcat ruse e kapën zonën. Moska njoftoi vitin e kaluar se synonte që ta riniste punën e të paktën një reaktori dhe shefi i emëruar nga Rusia i këtij centrali tha se reaktori do të mund ta niste prodhimin e energjisë nga viti 2027, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Megjithatë, Pavlo Kovtoniuk, shefi i kompanisë shtetërore ukrainase të energjisë bërthamore, “Energoatom”, tha se Rusisë i mungojnë disa pajisje dhe pjesë rezervë për ta vënë në operim centralin dhe rrezikon një aksident bërthamor, nëse provon një gjë të tillë.
“Rusia nuk do të jetë në gjendje që ta nisë punën në stacion. Pajisjet kryesore si dhe sistemet e kontrollit, mbrojtjes dhe vëzhgimit janë ukrainase” – tha Kovtoniuku.
“Kjo do të thotë se ky është një projekt ukrainas dhe pjesët rezervë prodhohen në ndërmarrje ukrainase. Pa pjesë rezervë dhe pa projektin, stacioni thjesht nuk mund të operojë” – shtoi ai.
Fati i këtij centrali, i cili ka kapacitet që të mbulojë një të tretën e kërkesës së Ukrainës për energji, kur është plotësisht funksional, ka qenë njëra nga pengesat në bisedimet e paqes që po zhvillohen mes palëve ndërluftuese, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.