Ukraina e bllokon transitin e naftës ruse për në Hungari, Budapesti e quan shantazh - NACIONALE

Ukraina e bllokon transitin e naftës ruse për në Hungari, Budapesti e quan shantazh

9 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Një ndihmës i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, të premten e akuzoi Ukrainën për shantazh ndaj Hungarisë dhe Sllovakisë përmes ndërprerjes së dërgesave me naftë, pasi këto dy shtete nuk po marrin më naftë nga grupi rus “Lukoil”.

Fqinjet lindore të BE-së, Hungaria dhe Sllovakia, kanë presion të shtuar, pasi javën e kaluar thanë se nuk po merrnin më lëndë të parë nga grupi rus “Lukoil” përmes Ukrainës për shkak se Kievi e kishte vënë këtë kompani në listën e sanksioneve, raporton agjencia “Reuters”.

Të hënën, këto vende kërkuan nga Komisioni Evropian që të përdorte një marrëveshje asocimi sipas së cilës ato thanë se Ukraina nuk mund ta bllokonte transitin e naftës.

“Ukraina po u bën shantazh dy vendeve që po qëndrojnë për paqe dhe armëpushim. Nëse situata nuk zgjidhet, do të ketë mungesë nafte... një zgjidhje duhet të gjendet deri në shtator” – tha ndihmësi i Orbanit, Gergely Gulyas, në një konferencë për gazetarë.

Ministria e Energjisë e Ukrainës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe homologu i tij sllovak, Robert Fico, i kanë kritikuar sanksionet kundër Rusisë dhe ndihmat ushtarake perëndimore për Ukrainën.

BE-ja i vendosi sanksione naftës ruse më 2022, edhe pse Sllovakia, Hungaria e Republika Çeke siguruan përjashtime nga masat për shkak të varësisë së tyre.

Sllovakia i bëri thirrje Komisionit Evropian të enjten që të mos shtyjë një vendim rreth ndërmjetësimit të procedurës së konsultimit me Ukrainën.

Gulyasi tha se Hungaria ishte duke kërkuar zgjidhje.

“Një [zgjidhje] është që ukrainasit të pranojnë se nuk mund t’ua bëjnë këtë dy shteteve të BE-së. Një tjetër është që Komisioni Evropian të na ndihmojë dhe e treta është që ne të gjejmë një hapësirë ligjore që e lejon transferimin e naftës nga dikush që nuk është i prekur nga sanksionet” – tha ndihmësi hungarez.

Ministri i Çështjeve të BE-së i Hungarisë, Janos Boka, tha se vendi i tij ishte duke ekzaminuar mundësinë nëse veprimet e Ukrainës i shkelin rregulloret e Organizatës Botërore të Tregtisë./Nacionale

Lajme të ngjashme