“Truri i Putinit”- Alexandr Dugin mund të jetë frymëzues i luftës në Ukrainë, do që Rusia ta sundojë Evropën
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të jetë frymëzuar nga shkrimet e një mistiku neo-nazist të njohur si "Rasputini i Putinit" ose "Truri i Putinit", i cili gjatë ditës së sotme i mbijetoi një tentative për vrasje.
The Sun shkruan se, mendimtari rus Aleksandr Dugin ka bërë thirrje prej kohësh për një pushtim të Ukrainës, duke besuar se Moska ka të drejtë të sundojë mbi të gjithë Evropën dhe Azinë.
Babai i Darya Dugin, e cila u vra sot nga një shpërthim me bombë në periferi të kryeqytetit të Rusisë - i quajtur filozof, mistik, analist politik dhe fashist, mendohet se ka një ndikim kyç në Rusi dhe pikëpamjet e tij besohet se kanë - të paktën pjesërisht - një ndikim kyç në të menduarit për pushtimin.

Shkrimet e tij - të cilat janë kërkuar të lexohen për ushtarët rusë - shpallin një botëkuptim paranojak që kërkon që Ukraina të zhytet në Rusi, duke dashur që Moska të kontrollojë gjithçka "nga Vladivostok në Dublin". E kjo është një zonë masive që përfshin zona të mëdha territori nga lindja e largët e Rusisë deri në Evropën Perëndimore.
Kërkesa e tij është një vizion rrëqethës i asaj që mund të vijë teksa bota shikon tmerret brutale që vazhdojnë të shpalosen në qytetet e shkatërruara nga lufta në Ukrainë.
Besohet se Aleksandr ka një ndikim të fshehtë mbi politikën ruse, duke ndikuar me idetë e tij edhe te Vladimir Putin.
Edhe pse sot, ai është bërë një figurë më margjinale, në vitet 1990, ndërsa Putin po ngjitej në radhët e elitës politike të Rusisë, Dugin ishte një figurë me ndikim të thellë në formësimin e gjeopolitikës ruse.
I lindur në Moskë në vitin 1962, ai kishte nisur të shkruante në fund të viteve 1980 - në kohën kur po shpërbëhej Bashkimi Sovjetik.
Libri më i njohur i Dugin, “Themelet e gjeopolitikës”, është publikuar në vitin 1997 dhe paraqet ideologjinë e tij ultranacionaliste dhe neofashiste të Neo-Eurazianizmit.
Në shkrimet e tij thuhet se, bota përbëhet nga "fuqitë tokësore" dhe "fuqitë detare", dhe se kombi i madh tokësor, Rusia duhet të ushtrojë ndikimin e saj mbi të gjithë Evropën dhe Azinë.
Ai beson se Rusia është rimishërimi i kohëve moderne i "hiperboreanëve" të lashtë - të cilët duhet të qëndrojnë në kundërshtim me "atlanteanët" e ditëve moderne, Shtetet e Bashkuara.
Ndikimi i tij në politikën ruse, si dhe mjekra e tij e gjatë e sytë e mprehtë, kanë bërë që ai shpesh të krahasohet me Rasputin, këshilltarin famëkeq të Carit të fundit të Rusisë, Nikolla II.
Duke folur për The Sun, Marlene Laruelle, Drejtore e Institutit për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike në Universitetin George Washington, shpjegoi se lufta aktuale në Ukrainë i paraqet 60-vjeçarit mundësi të reja për t'u afruar sërish me selinë e pushtetit
"Lufta mund t'i japë atij një fushë të re ndikimi," tha ajo, duke shtuar se, “Regjimi i Putinit ka bërë një kthesë ideologjike drejt nacionalizmit dhe represionit, dhe kjo mund të paraqesë mundësi të reja për Dugin”.
Laruelle e karakterizon Duginin si një "fashist", i cili "beson në nevojën e rigjenerimit të kombit përmes dhunës dhe luftës".