“Trupat u lanë të kalben”: Banorët e një fshati të çliruar në Kharkiv, përshkruajnë jetën nën pushtimin rus
Teksa një ofensivë e guximshme ushtarake ukrainase ka rimarrë një pjesë të territorit nga kontrolli rus në Kharkiv, vendasit kanë përshkruar për SkyNews, jetën gjatë pushtimit rus.
Banorët kanë dhënë dëshmi të rralla për atë që ka ndodhur, nëpër dhjetëra fshatra dhe madje edhe qytete të rajonit Kharkiv.
“Trupat ruse papritmas filluan të bërtasin egër dhe të vrapojnë përreth, përpara se të futeshin në tanket e tyre dhe të largoheshin nga fshati i vogël në Ukrainën lindore,” është shprehur një banor duke përshkruar skenat kaotike të ikjes së rusëve nga fshati Zaliznychne, një ditë para se të shfaqej një grup i vogël me ushtarë ukrainas.
"Ata më pyetën se ku kishin jetuar rusët dhe ku i fshehën mjetet e tyre të blinduara," tha Dmytro Hrushchenko, 43 vjeç, duke qëndruar i lodhur në një rrugë me pluhur bashkë me një fqinj.
Dola jashtë dhe u tregova: atje, atje dhe në rrugë atje, - ka treguar ai duke bërë shenja djathtas, majtas dhe përballë.
Në Zaliznychne, një fshat i varfër, i rrethuar nga fusha dhe një hekurudhë, banorët dukeshin të çorientuar.

Gjashtë muaj ferr
Duke folur për SkyNews, Vasyl, 83 vjeç, tha se kishte jetuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas më shumë se gjashtë muaj ferr nën rusët.
"Ishte si një punë e vështirë," tha ai, duke u mbështetur në një biçikletë të ndryshkur.
“Dikur isha i shëndoshë, por tani kam probleme me zemrën, gruaja ime është invalid, ka diabet, nuk kishim ilaçe... Akoma nuk e besoj që kanë ikur dhe jemi jashtë kësaj periudhe vdekjeje," ka shtuar më tej ai.
Tërheqja ruse nga zonat e Kharkivit u ka mundësuar ekipeve të policisë ukrainase të lëvizin në zonat e sapoçliruara për të hetuar një numër të madh të krimeve të dyshuara të luftës të kryera nga trupat ruse.
Oficerët kujtuan skenat e vrasjes, torturës dhe përdhunimit, të gjetura pasi forcat ruse u larguan nga qyteti i Bucha-s, jashtë Kievit vetëm një muaj pas pushtimit.
E pjesë të mëdha të rajonit të Kharkiv ishin nën kontrollin rus për kohë shumë më të gjatë.
"Sipas informacionit tonë, pothuajse në çdo fshat kemi krime lufte," është shprehur Serhii Bolvinov, shefi i policisë rajonale të Kharkiv, duke qëndruar jashtë një shtëpie në Zaliznychne që ishte bërë një skenë krimi.
“Po kontrollojmë vendet ku janë raportuar dhe do t’i hetojmë të gjitha."

Gruaja u detyrua të varroste fqinjët e saj
Duke ecur me kujdes, hetuesit u futën në një kopsht të rrethuar me mure rreth shtëpisë.
Një grua që jetonte ende atje u bëri shenjë një copë toke ku ishin të varrosur trupat e dy burrave, njëri prej tyre fqinji i saj.
Maria Hryhohora, 63 vjeç, i kishte gjetur të vrarë në shtëpi në ditët e para të pushtimit rus, por policia nuk kishte mundur ta arrinte atë në atë kohë, sepse trupat ruse tashmë kishin mbyllur fshatin.
Në vend të kësaj, oficerët e këshilluan atë që t'i varroste trupat, por ata mbajtën një regjistrim të krimit të dyshuar të luftës për t'u hetuar sa më shpejt që të bëhej e mundur.
Ajo ditë më në fund kishte arritur.
Ndërsa ekipi i policisë filloi të punonte për gërmimin e trupave, Maria foli se si i kishte gjetur dy burrat, fqinjin e saj, Ilham Mehteev, dhe një mik të tij të quajtur Konstiantyn Pohorelov.
Ata ishin qëlluar për vdekje dhe ishin të shtrirë në shtëpi në një pellg të madh gjaku.
"Ishte e frikshme, shumë, shumë e frikshme," tha ajo, duke treguar se nuk e dinte arsyen e vrasjes së tyre.

Duke jetuar në errësirë
Maria përshkroi se si jeta gjatë okupimit e bëri edhe më të vështirë një ekzistencë tashmë të vështirë në fshat.
Ajo i tregoi Sky News gjysmën e pronës së saj të përbashkët, një shtëpi të vogël, njëkatëshe, të dëmtuar nga shpërthimet ruse.
Maria jeton në errësirë sepse në fshat nuk ka energji që nga prilli. Ajo tha se është e shqetësuar për dimrin që po vjen dhe për mundësinë e kthimit të rusëve.
Pas rreth një ore apo më shumë, policia përfundoi punën e saj në kopsht, duke ngarkuar dy trupat në çanta të bardha kufomash në pjesën e pasme të një furgoni për një ekspertizë mjeko-ligjore.
Karvani i tyre i makinave zyrtare më pas u zhvendos në një zonë industriale në periferi të fshatit ku u është thënë për një kufomë tjetër.

Trupat e lënë të kalben
Viktima, që mendohet se ka qenë roje sigurie, ishte vrarë gjithashtu gjatë ditëve të para të luftës rreth datës 26 ose 27 shkurt, ndërsa forcat ruse përparonin, tha një oficer policie.
Trupi i tij u la të kalbet, në platformën e sipërme të një strukture të lartë metalike. Policia tha se nuk e dinte pse u vra. E për të arritur tek kufoma policisë iu desh të përdorte shkallë, më pas më kujdes e futën trupin në një qese dhe zbritën poshtë.
Ndalesa e fundit ishte në një shtëpi aty pranë, më nje varrezë tjetër në kopshtin e pasmë.

Jashtë rrugës një çift iu afrua policisë. Burri, Vasyl Boronov, 55 vjeç, ishte vëllai i viktimës. Ai tha se quhej Serhii. Duke shpërthyer në lot kur policia nisi punën e saj, ai gjithashtu tha se nuk e kishte idene pse vëllai i tij u vra.


