Trumpi thotë se diskutoi me Putinin për një armëpushim në Ukrainë - NACIONALE

Trumpi thotë se diskutoi me Putinin për një armëpushim në Ukrainë

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha të mërkurën se diskutoi për një armëpushim të mundshëm në luftën 4-vjeçare në Ukrainë përmes një bisede telefonike me homologun rus, Vladimir Putin.

Ai foli pasi Kremlini raportoi se dy udhëheqësit kishin diskutuar për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë për ta shënuar fundin e Luftës së Dytë Botërore muajin e ardhshëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Patëm një bisedë të mirë, e njoh atë për një kohë të gjatë” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar Putinit.

Duke folur para gazetarëve gjatë takimit me astronautët e misionit “Artemis II” në Zyrën Ovale, presidenti amerikan tha se sugjeroi “pak armëpushim” në luftën në Ukrainë gjatë bisedës telefonike me homologun rus.

“Dhe mendoj se ai mund ta bëjë këtë” – tha Trumpi, kur u pyet nga gazetarët nëse Putini tashmë kishte njoftuar një armëpushim.

Trumpi ka histori të komenteve pozitive për Putinin dhe të kritikave të ashpra për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, pse nuk po pajtohet që të bëjë një marrëveshje me Rusinë për përfundimin e luftës.

Presidenti amerikan tha se Putini ofroi ndihmë rreth çështjes së uraniumit të pasuruar të Iranit, pengesë kyçe për arritjen e një pakti për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme, por “unë thashë se shumë më tepër do të doja që ju të përfshiheni në përfundimin e luftës me Ukrainën”.

“Unë thashë: para se të më ndihmosh mua, dua që t’i jepet fund luftës suaj” – tha më tej Trumpi./Nacionale

Lajme të ngjashme