Kurti për marrëveshjen me Abdixhikun: Ka pësuar "goditje të rëndë" - NACIONALE

Kurti për marrëveshjen me Abdixhikun: Ka pësuar "goditje të rëndë"

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për ujdinë politike të arritur me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cila u kundërshtua nga gjashtë deputetë të kësaj partie.

Kurti ka thënë se marrëveshja ka pësuar “goditje të rëndë”, por sipas tij, ajo nuk është zhvlerësuar.

“Marrëveshja politike që kishim arritur ka pësuar një goditje të rëndë, mirëpo nuk është zhvlerësuar. Është sukses i madh i dy subjekteve politike dhe ata që e duan stabilitetin institucional, evitimin e zgjedhjeve dhe forcimin e shtetit e kanë shansin. Kjo është emri i përveçëm i dalë nga marrëveshja politike, e ai është Bekim Sejdiu”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte arritur një ujdi politike me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.

Megjithatë, kjo ujdi nuk kishte marrë paraprakisht miratimin e deputetëve të LDK-së, të cilët do të duhej ta mbështesnin kandidaturën në Kuvend.

Gjashtë deputetët e LDK-së u deklaruan se nuk ishin njoftuar paraprakisht nga Abdixhiku për emrin e kandidatit “konsensual”. Ata kundërshtuan kandidaturën e Sejdiut dhe bënë të ditur se nuk do ta mbështesnin atë për postin e presidentit.

Ndërkaq, Kurti është takuar mbrëmë me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, ku, sipas kryetares së NDS-së, Emilja Rexhepi, është diskutuar për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, si dhe për ujdinë e arritur mes Kurtit dhe liderit të LDK-së, Lumir Abdixhikut.

Rexhepi ka bërë të ditur se, përveç çështjes së zgjedhjes së presidentit, në takim është diskutuar edhe për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Sipas saj, një nga hapat që duhet të ndërmerret sa më shpejt është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që të mund të vazhdojë procesi i konstituimit të institucioneve.

Rexhepi ka lënë të kuptohet se seanca konstituive pritet të thirret shumë shpejt.

“Po ashtu, sa më shpejt është votimi për kryetar të Parlamentit. Seanca konstituive pritet të thirret shumë shpejt”, ka thënë Rexhepi.

Lajme të ngjashme