Trumpi planifikon të flasë me Putinin të martën, tregon dy tema
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha gjatë një fluturimi në “Air Force One” të dielën në mbrëmje se të martën do të bisedojë me homologun rus, Vladimir Putin.
Amerikani tha se “shumë punë” është bërë gjatë fundjavës dhe se do të shohin nëse rusët “kanë diçka për të njoftuar” të martën, raporton televizioni BBC.
Lajmi vjen një javë pasi delegatët amerikanë dhe ukrainas u takuan në Arabinë Saudite, ku njoftuar për mundësinë e një armëpushimi 30-ditor, hapi i parë drejt përfundimit të luftës. Megjithatë, ShBA-ja ende po mundohet ta bindë Rusinë që të pajtohet me këtë propozim.
Në lidhje me bisedimet me Putinin, Trumpi tha: “Mendoj se do të flasim për tokën. Është shumë më ndryshe se para luftës, siç e dini. Do të flasim për centralet e energjisë, kjo është një pyetje e madhe.”
“Por mendoj se shumë prej këtyre tashmë i kemi të diskutuara shumë nga të dyja palët, Ukraina dhe Rusia. Ne tashmë po flasim për këtë, duke ndarë (si tema) asete të caktuara dhe ata kanë qenë duke punuar në këtë” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“Ne duam të shohim nëse mund ta sjellim përfundimin e asaj lufte. Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por mendoj se kemi një mundësi shumë të mirë” – tha më tej presidenti amerikan.
Ndërkohë, Rusia e Ukraina shkëmbyen sulme me dronë gjatë natës, thanë zyrtarët e të dyja vendeve.
Në shënjestër të dronëve ukrainas ishin objekte energjetike dhe të llojeve të tjera në rajonin Atrakhan të Rusisë, duke lënduar një person e duke nxitur një zjarr, tha guvernatori rajonal, i cili në rrjete sociale shkroi: “Situata është nën kontroll.”
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat ruse shkatërruan 72 dronë ukrainas gjatë natës, përfshirë 36 mbi rajonin Kursk.
Në Ukrainë, njësitet e mbrojtjes ajrore po mundoheshin që të zbprasnin një sulm të nisur nga forcat ruse në kryeqytetin Kiev, tha të dielën në mbrëmje kryetari i qytetit, Vitali Klitschko./Nacionale