Trumpi mund të synojë marrëveshje për mineralet edhe me Rusinë, thotë senatorja Shaheen
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mund të jetë duke synuar një marrëveshje për të drejtat e shfrytëzimit të mineraleve edhe me homologun rus, Vladimir Putin, përpos asaj me Volodymyr Zelenskyn e Ukrainës, ka paralajmëruar një senatore e lartë demokrate e ShBA-së.
“Unë mendoj se gjithçka që e ndihmon Ukrainën për çfarëdo negociate për paqe është lëvizje pozitive” – tha zonja Jeanne Shaheen, senatore demokrate në Komitetin për Marrëdhënie të Jashtme dhe Shërbime të Armatosura në Senatin e ShBA-së, e cila rishtazi e vizitoi Ukrainën, raporton gazeta “The Guardian”.
“Tani, ajo që ne e dëgjuam, kur ishim në Ukrainë, është që 40 deri në 50 për qind e atyre rezervave të mineraleve janë në të vërtetë në territorin e kontrolluar nga rusët. Ndoshta pjesë e marrëveshjes është që presidenti Trump do të sigurojë një pakt edhe me Vladimir Putinin për të drejtat e mineraleve. Pra... kjo do të mund të ishte paksa dredharake” – shtoi ajo.
Duke thënë se Ukraina nuk mund të presë që ta rimarrë tërë territorin e kaluar nga Rusia dhe duke e kundërshtuar synimin e Kievit për anëtarësim në NATO, Trumpi ka kërkuar marrëveshje për mineralet me Ukrainën si shpagim për mbështetjen ushtarake të ofruar nga Uashingtoni. Të mërkurën, Trumpi tha se Zelensky do ta vizitojë Uashingtonin të premten për të nënshkruar “një marrëveshje shumë të madhe që do të jetë për mineralet e rralla dhe gjëra të tjera” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Trumpi nuk ofroi hollësi të marrëveshjes, por tha se ai “nuk do të bëjë garanci të sigurisë përtej asaj që është shumë”, duke shtuar: “Evropa do ta bëjë këtë.”
Ai pritet të takohet të enjten me kryeministrin britanik, Keir Starmer, i cili ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është e gatshme për të kontribuuar me trupa paqeruajtëse në Ukrainë.
Senatorja Shaheen më tej tha: “Unë mendoj se ka mbështetje për të bërë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar arritjen e paqes në Ukrainë dhe, nga perspektiva ime, njëri nga aspektet më të rëndësishme të kësaj është të sigurohemi që ukrainasit janë të pozicionuar në mënyrën më pozitive dhe më të favorshme për ta. Nëse kjo ndihmon që të trajtohet ky aspekt dhe nëse presidenti Zelensky është rehat për ta nënshkruar, atëherë unë e përkrah këtë.”
Sipas senatores, vizita e saj në Ukrainë me demokratin Michael Bennet dhe republikanin Thom Tillis doli të jetë “bindëse, shqetësuese”.
Senatorët e vizituan qytetin Bucha, ku trupat ruse kryen një masakër në vitin 2022./Nacionale