Trumpi mund të arrestohet në ditët e ardhshme - NACIONALE

Trumpi mund të arrestohet në ditët e ardhshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, do të akuzohet për të hollat që dyshohet se ia ka dhënë një aktoreje të filmave për të rritur para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Televizioni BBC raporton se ka gjasa që ai të arrestohet në ditët e ardhshme.

Hollësitë e rastit kundër tij nuk janë publikuar ende, por një juri gjykatësish votoi për të ngritur aktakuzë kundër tij, pasi autoritetet hetuan një pagesë të dyshimtë prej 130 mijë dollarësh për aktoren Stormy Daniels në përpjekje për ta blerë heshtjen e saj rreth një afere.

Trumpi ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje. Ai është ish-presidenti i parë i ShBA-së që do të ballafaqohet me një akuzë kriminale.

Zyra e prokurorit të qarkut në Manhattan, e cila e ka zhvilluar hetimin, konfirmoi se e ka kontaktuar avokatin e Trumpit për ta “bashkërenduar dorëzimin e tij” për akuza të pasaktësuara.

Ish-presidenti, i cili tani jeton në Florida, pritet që të hënën të udhëtojë drejt Nju Jorkut dhe të akuzohet të martën, sipas dy burimeve të afërta me këtë çështje.

Akuzat e aktakuzës do t’i lexohen Trumpit gjatë seancës gjyqësore, e cila pritet të zgjatë rreth 10 – 15 minuta.

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara, i cili është i ngarkuar me detyrën e mbrojtjes së presidentit aktual dhe ish-presidentëve të ShBA-së, do të merret me sigurinë e Trumpit gjatë paraqitjes së tij në gjykatë.

Më 2016, aktorja Stormy Daniels kontakoi medie të ndryshme, duke ua ofruar rrëfimin e saj për atë që thoshte se ishte aferë që e kishte pasur me Trumpin në vitin 2006, një vit pasi ai ishte martuar me bashkëshorten e tanishme, Melania.

Ekipi i Trumpit e dëgjoi këtë dhe avokati i tij, Michael Cohen, ia kishte dhënë 130 mijë dollarë Daniels-it për të mos folur. Kjo gjë nuk është e paligjshme.

Megjithatë, kur Trumpi ia ktheu paratë avokatit, në të dhënat e pagesës thuhet se bëhej fjalë për tarifa ligjore. Prokurorët thonë se kjo nënkupton falsifikim të të dhënave biznesore nga Trumpi.

Trumpit tani mund t’i merren shenjat e gishtave dhe të fotografohet nga autoriteet, njësoj si në të gjitha rastet e tjera kriminale.

Në një deklaratë, Trumpi pati fjalë të ashpra për prokurorin e Manhattan-it, duke e quajtur “turp” dhe e akuzoi atë se “po e bën punën e pistë të Joe Biden-it”.

Ai vazhdimisht e ka cilësuar hetimin kundër tij si “gjueti e shtrigave” dhe si veprim të udhëhequr nga kundërshtarët e tij.

Lajme të ngjashme