Trumpi: Jemi shumë afër një marrëveshjeje që do t’i sjellë paqe Lindjes së Mesme
Dy vjet pas shpërthimit të konfliktit në Gaza, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua të martën për mbështetjen e garancive të sigurisë për enklavën nga vendi i tij dhe tha se beson që marrëveshja për lirimin e pengjeve është afër kompletimit.
Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan tha: “Mendoj se është një mundësi që ne të mund të kemi paqe në Lindjen e Mesme”, përtej Gazës. Ai shtoi se do të diskutojë për Gazën me kryeministrin kanadez, Mark Carney, i cili po e viziton Uashingtonin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një zyrtar amerikan tha se emisari i posaçëm i ShBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, i cili e ka mbajtur pozitën e emisarit të Trumpit për Lindjen e Mesme gjatë mandatit të parë të presidentit republikan, u nisën për në Egjipt të martën për t’u bërë pjesë e bisedimeve që po zhvillohen atje në përpjekje për t’i dhënë fund luftës.
“Ne jemi shumë afër bërjes së një marrëveshjeje për Lindjen e Mesme që do t’i sjellë paqe Lindjes së Mesme pas tërë atyre viteve” – tha Trumpi në fillim të takimit me kryeministrin kanadez në Zyrën Ovale.
Kur u pyet për garancitë e sigurisë që ShBA-ja është e gatshme t’i ofrojë, Trumpi u zotua për ofrimin e ndihmës, pa dhënë hollësi.
“Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundshme – kemi shumë fuqi – dhe do të bëjmë gjithçka të mundshme për t’u siguruar që secili ta respektojë marrëveshjen” – tha ai.
Hamasi kërkon armëpushim të plotë dhe gjithëpërfshirës, tërheqje të plotë të forcave izraelit dhe nisje të menjëhershme të procesit gjithëpërfshirës të rindërtimit nën mbikëqyrjen e një “organi burokratik kombëtar” palestinez, sipas një zyrtari të lartë të grupit.