“Trumpi i Holandës”: Myslimanët holandezë kanë frikë për të ardhmen pas rezultatit “shokues” - NACIONALE

“Trumpi i Holandës”: Myslimanët holandezë kanë frikë për të ardhmen pas rezultatit “shokues”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Populisti holandez i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, e përshkroi si “ditën më të bukur” të jetës së tij politike. Megjithatë, për shumë njerëz në Holandë, lajmi që partia e tij kishte dalë me më së shumti vota nga zgjedhjet e së mërkurës i aktivizoi këmbanat e alarmit për atë se çfarë mund të shtrihet para tyre në një shtet që dikur vlerësohej si fener i tolerancës.

“Këto rezultate të zgjedhjeve janë shokuese për myslimanët holandezë. Nuk prisnin që një parti e tillë, me një program që është kundër parimeve themelore të sundimit të ligjit, të jetë kaq e madhe”- tha Muhsin Koktas nga Trupi Kontaktues për Myslimanët dhe Qeverinë.

Në krye të Partisë për Liri (PVV), Wilders-i për një kohë të gjatë e ka vënë në shënjestër Islamin, duke e përshkuar atë si ideologji fashiste e “një kulture të retarduar” dhe “fe të prapambetur”. Nga viti 2004, ai ka qenë nën mbrojte të policisë dhe në vitin 2016 ishte dënuar për diskriminim, pasi i kishte quajtur “llum” marokenët në një tubim të fushatës zgjedhore, raporton gazeta “The Guardian”.

Edhe pse Wilders-i ishte munduar që ta zbuste retorikën anti-islame pak para zgjedhjeve, në manifestin e partisë përfshihet ndalimi i xhamive, i Kuranit dhe i mbulesave të kokës në ndërtesat qeveritare. Përderisa rritja e partisë u bë e qartë të mërkurën në mbrëmje, udhëheqësi i saj u zotua se do t’i çojë përpara politikat “brenda ligjit dhe kushtetutës”.

Ndryshimi i dukshëm i tonit nuk i ofroi shumë rehati Koktasit. “Ne kemi shqetësime të mëdha për të ardhmen e Islamit dhe myslimanëve në Holandë”- tha ai.

Koktasi shpreson se njerëzit në mbarë vendin do të bëhen bashkë për ta mbrojtur sundimin e ligjit. “Kjo është absolutisht e nevojshme, jo vetëm për të ardhmen e myslimanëve, por edhe për të ardhmen e shoqërisë paqësore holandeze”- shtoi ai.

Pas numërimit të gati të gjitha votave, rezultatet preliminare të zgjedhjeve të së mërkurës tregojnë se PVV-ja do të marrë 37 ulëse në Kuvend, më shumë se cilado parti tjetër.

“Shqetësimi dhe frika janë të pamasë. Wilders-i është i njohur për idetë e tij rreth myslimanëve dhe marokenëve. Kemi frikë se do të na portretizojë si qytetarë të klasës së dytë”- tha Habib El Kaddouri, i cili udhëheq një organizatë holandeze që i përfaqëson marokenët holandezë.

Përderisa mbetet të shihet nëse Wilders-i do të mund të grumbullojë përkrahje të mjaftueshme për ta formuar shumicën ose për t’u bërë kryeministër, El Kaddouri e vuri në pah porosinë më të gjerë që është dhënë nga holandezët përmes përkrahjes së një njeriu që është etiketuar si versioni holandez i Donald Trumpit. “Nuk e di nëse myslimanët janë ende të sigurt në Holandë. Jam i brengosur për këtë vend”- i tha ai agjencisë së lajmeve, ANP.

Lajme të ngjashme