Populisti anti-islamist i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, shënon fitore dramatike në zgjedhjet e Holandës - NACIONALE

Populisti anti-islamist i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, shënon fitore dramatike në zgjedhjet e Holandës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Politikani veteran me qëndrime populiste e anti-islame, Geert Wilders, ka shënuar fitore dramatike në zgjedhjet e përgjithshme të së mërkurës në Holandë, sipas parashikimeve të fundit.

Pas 25 viteve në Kuvend, Partia e Lirisë (PVV) pritet të fitojë 37 ulëse, dukshëm më shumë se rivalja më e afërt, një aleancë e së majtës, raporton televizioni BBC.

Kjo parti në të kaluarën ka propozuar që në Holandë të ndalohet Kurani dhe të mbyllen të gjitha xhamitë.

“PVV-ja nuk mund të shpërfillet më. Ne do të qeverisim”- tha Wilders-i.

Fitorja e tij e ka dridhur politikën holandeze. Megjithatë, populisti do të detyrohet që të bindë parti të tjera për t’u bërë bashkë në koalicion. Synimi i tij është që të sigurojë 76 ulëse në Kuvendin me 150 deputetë.

“Ne duam të qeverisim dhe… do të qeverisim. [Numri i ulëseve] është kompliment i madh, por edhe përgjegjësi e madhe”- tha më tej anti-islamisti Wilders.

Para zgjedhjeve, tri parti të tjera të mëdha e kishin përjashtuar mundësinë për të marrë pjesë në një qeveri të udhëhequr nga ky politikan për shkak të politikave të tij të së djathtës ekstreme. Sidoqoftë, kjo mund të ndryshojë për shkak të shkallës së fitores së tij, thekson televizioni britanik.

Aleanca e së majtës, e udhëhequr nga ish-komisionari i BE-së, Frans Timmermans, pritet të dalë e dyta me 25 ulëse në Kuvend. Ai ka bërë të qartë se nuk do të kishte të bënte asgjë me një qeveri të udhëhequr nga Wilders-i.

Timmermans-i para përkrahësve tha se është koha për t’i mbrojtur demokracinë dhe sundimin e ligjit në vend. “Nuk do të lëmë askënd në Holandë që të largohet. Në Holandë, secili është i barabartë”- shtoi ai.

Wilders-i u bëri apel të drejtpërdrejtë rivalëve politikë për të punuar së bashku. Udhëheqësit e partive që dolën në vend të tretë dhe të katërt, Dilan Yesilgoz dhe Pueter Omtzigt, ia uruan atij fitoren.

Fitorja e Wilders-it do të përçojë valë shoku në Evropë, sepse Holanda është njëra nga anëtaret themeltare të bllokut që më vonë do të bëhej Bashkim Evropian.

Udhëheqësit nacionalistë dhe të së djathtës ekstreme në vende të ndryshme të Evropës e çmuan arritjen e politikanit holandez. Politikania e së djathtës ekstreme në Francë, Marine Le Pen, tha se kjo fitore “e konfirmon kapjen në rritje për mbrojtjen e identiteteve kombëtare”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme