Adoleshenti i burgosur në Guine për mashtrim në provim vdiq pas një sëmundjeje, thotë babai
Babai i një adoleshenti nga Guinea me sëmundjen që njihet si qelizat drapër, i cili vdiq disa ditë pas arrestimit për mashtrim në një provim, i ka thënë BBC-së se ai i fajëson autoritetet për vdekjen e të birit.
Mamadou Djouma Bah, 17 vjeç, ishte dërguar në spital pas përkeqësimit të shëndetit gjatë qëndrimit në burg dhe më vonë vdiq “nën kujdesin e mjekut që po e trajtonte”, sipas prokurorit.
Babai i tij, Mamadou Saliou Bah, ka bërë thirrje për zhvillimin e një hetimi, duke i thënë transmetuesit britanik se i biri i tij “nuk mori kujdes mjekësor të mirë” gjatë mbajtjes në ndalim.
Personat që vuajnë nga qelizat drapër shpesh janë në rrezik më të madh që të preken nga infeksione serioze ose mund të bëhen anemikë.
Sëmundja e qelizave drapër zgjat tërë jetën dhe është e zakonshme te njerëzit me prejardhje afrikane. Ajo shkaktohet nga një gjen i dëmtuar që prodhon qeliza të kuqe gjaku në formë të pazakonshme që mund të mbesin të ngujuara në enët e gjakut.
Djouma Bah, i cili ishte nxënës i shkencave shoqërore, gjoja ishte kapur duke e përdorur telefonin e tij gjatë testit kombëtar më 15 korrik, kur ishte arrestuar bashkë me nxënës të tjerë, të cilët gjithashtu dyshoheshin për mashtrim në provim.
Ai ishte duke e vuajtur ndalimin me 30 ditë në burg në qytetin Kindia, kur iu përkeqësua shëndeti.
Babai i tij i tha BBC-së se, kur shkoi për ta vizituar në spital, djali i tha se nuk mund të merrte frymë si duhet dhe kishte kërkuar që t’i mbështetej për trupi.
“Më pas më shikoi dhe më tha: Baba, unë po vdes” – tha Saliou Bah.
“Ato ishin fjalët e tij të fundit” – shtoi ai.
Adoleshenti ishte mbajtur rreth dy ditë në spital para se të lirohej për në shtëpi, ku vdiq, thanë zyrtarët e shtetit afrikan./Nacionale