Trumpi deponon 175 milionë dollarë dorëzani në rastin gjyqësor për mashtrim në Nju-Jork
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka deponuar 175 milionë dollarë dorëzani në rastin gjyqësor civil për mashtrim në Nju-Jork, duke e shmangur sekuestrimin e aseteve nga shteti.
Trumpi fillimisht ishte urdhëruar që të paguante plot 464 milionë dollarë gjobë, por një gjykatë apeli kishte thënë se ai mund të paguante 175 milionë dollarë, nëse e dorëzon shumën brenda dhjetë ditëve, raporton televizioni BBC.
Në shkurt, një gjykatë kishte vlerësuar se Trumpi në mënyrë mashtruese e kishte fryrë vlerën e pronës. Republikani mohon se ka bërë ndonjë shkelje dhe pretendon se ky rast është “gjueti shtrigash” me motive politike nga një prokurore demokrate.
Nëse e humb apelin, Trumpi do të detyrohet që ta dorëzojë shumën prej 464 milionë dollarësh. Avokatët e tij kanë argumentuar në gjykatën e apelit se sigurimi i dorëzanisë për këtë shumë do të ishte “i pamundshëm praktikisht”.
Dorëzimi i 175 milionë dollarëve të hënën – të paktën tash për tash- do ta kursejë ish-presidentin nga turpërimi prej sekuestrimit të aseteve të palëkundshme nga shteti, si rezidenca Mar-a-Lago në Florida dhe Kulla Trump në Manhattan.
Rasti për mashtrim ishte paraqitur në vitin 2022 nga prokurorja e përgjithshme e Nju-Jorkut, Letitia James, demokrate.
Sipas revistës “Forbes”, pasuria e tanishme e Trumpit e ka vlerën e 5,7 miliardë dollarëve. Vlera e saj u rrit javën e kaluar, pasi kompania që është pronare e rrjetit të tij social, “Truth Social”, u hodh në tregun e aksioneve.