Trump do të takohet me udhëheqësen e opozitës venezuelane Machado në Shtëpinë e Bardhë
Udhëheqësja e opozitës venezuelane dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, María Corina Machado, do të takohet të enjten me Presidentin Donald Trump, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë, shkruan The Guardian.
Vizita vjen vetëm disa javë pasi presidenti venezuelan Nicolás Maduro u kap në Karakas nga forcat amerikane. Megjithatë, Trump refuzoi ta mbështesë Machado-n, lëvizja e së cilës pretendoi fitore në zgjedhjet e kontestuara gjerësisht të vitit 2024, si udhëheqësen e re të vendit.
Në vend të saj, SHBA-ja ka mbështetur Delcy Rodríguez, ish-zëvendëspresidente e Maduros.
Machado tha javën e kaluar se shpresonte ta falënderonte personalisht Trumpin për veprimin kundër Maduros dhe se do të donte t’ia jepte Çmimin Nobel atij. Trump e quajti këtë “një nder të madh”, por më pas Komiteti Nobel sqaroi se çmimi nuk mund të transferohet.
Më herët, Trump kishte shprehur pakënaqësi për vendimin e Machado-s për ta pranuar Çmimin Nobel për Paqe, një nder që presidenti prej kohësh e ka dëshiruar.
I pyetur të premten nëse marrja e çmimit nga Machado mund ta ndryshonte qëndrimin e tij për rolin e saj në Venezuelë, presidenti tha:
“Ajo mund të jetë e përfshirë në ndonjë aspekt të kësaj.”
“Do të duhet të flas me të. Mendoj se është shumë e këndshme që ajo dëshiron të vijë. Dhe kjo, sipas kuptimit tim, është arsyeja,” shtoi ai.
Më herët këtë muaj, pas rrëzimit të Maduros, Trump kishte thënë se Machado “nuk e ka mbështetjen brenda vendit, as respektin e vendit”.
“Ajo është një grua shumë e mirë, por nuk e ka respektin,” kishte thënë ai.
Deri tani, SHBA-ja ka mbështetur Delcy Rodríguez si presidente të përkohshme të Venezuelës.
Trump e përshkruan Rodríguez-in si “aleate”, dhe ajo nuk është akuzuar nga autoritetet amerikane për ndonjë krim.
“Delcy Rodríguez dhe ekipi i saj kanë qenë shumë bashkëpunues me Shtetet e Bashkuara,” tha të hënën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Por Machado ka këmbëngulur se koalicioni i saj duhet “absolutisht” ta udhëheqë vendin.
Machado ka thënë se askush nuk i beson Rodríguez-it, duke i thënë CBS-it se udhëheqësja e përkohshme ishte “një nga arkitektet kryesore… të represionit ndaj njerëzve të pafajshëm” në vendin e Amerikës së Jugut.