Trazira në Rusi pas vendimit të Putinit - Njëri i vë zjarrin vetes, një tjetër qëllon oficerin, protesta gjithandej
Ky shkrim është përkthyer prej Nacionales nga The Guardian.
Një oficer rus që po rekrutonte të rinjtë për në frontin e Ukrainës është qëlluar nga një burrë i zemëruar ndërsa një tjetër i ka vënë zjarrin vetes në protestë kundër vendimit të Vladimir Putinit për mobilizim pjesor.
Protestat pritet të vazhdojnë edhe për ditën e tretë më radhë në rajonin e Dagestanit, ku zyrtarët kanë qëlluar me armë automatike në ajër për të shpërndarë turmat e zemëruara. Ndërkohë, mijëra vetura janë varguar në kufijtë e Rusisë e që kanë me vete shumë të rinjë rusë që po kërkojnë të ikin nga vendi në mënyrë që t’i shpëtojnë rekrutimit.
Tensionet po rriten në mbarë Rusinë, derisa po qarkullojnë thashetheme për një mbyllje të mundshme kufijsh apo edhe për vënien në fuqi të ligjit të luftës.
Kjo është “vetëm dita e pestë” e rekrutimit, ka shkruar Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas. “Para se arkivolet të nisin e të kthehen.”
Kremlini ka provuar të qetësojë rusët, duke thënë që nuk ka asnjë vendim për të mbyllur kufijtë apo për të vënë në fuqi ligjin e luftës. Por, përplasjet tashmë kanë filluar.
Oficeri që po merrej me rekrutim u qëllua në Ust-Ilimsk, një qytet me rreth 85 mijë banorë në rajonin e Irkutskut në Siberi. Videot shfaqën atë duke u qëlluar nga afërsia prej një burri.
Guvernatori i këtij rajoni, Igor Kobzev, shkroi në Telegram se shefi i zyres për rekrutim ishte në gjendje kritike në spital, ku doktorët po luftonin “për t’i shpëtuar jetën”. Kobzev tha që qitësi i burgosur “absolutisht duhej ndëshkuar”.
“Më vjen turp që kjo ka ndodhur në kohën kur, përkundrazi, do të duhej të ishim të bashkuar. Duhet të mos luftojmë kundër njëri-tjetrit, por kundër kërcënimit të vërtetë.” – tha guvernatori Kobzev.
Sipas një dëshmitari, oficeri u qëllua pasi i tha qitësit se duhej të shkonte e të luftonte në Ukrainë.
“Askush nuk do të shkojë askund,” – i kishte thënë qitësi, para se të hapte zjarr.
Në Riazan ndërkohë, një burrë i vuri zjarrin vetes ndërsa bërtiste se nuk donte t’i bashkohej luftës së Rusisë në Ukrainë, raportoi një medium lokal.
Njoftimi i Putinit për mobilizim pjesor ka rezultuar në qindra e mijëra rusë që po marrin fletë-thirrjet për të shkuar në Ukrainë.
Kremlini e ka pranuar të hënën se ka pasur edhe gabime gjatë mobilizimit të rezervistëve, por analistët besojnë se këto ‘gabime’ janë bërë qëllimisht.
Në Kiev, ushtria Ukrainase ka pretenduar që disa prej rekrutëve rusë po dërgoheshin direkt në vijë të frontit pa u trajnuar fare.

