Thuhet se ShBA-ja është e shqetësuar që ushtria izraelite nuk është gati për ofensivën tokësore - NACIONALE

Thuhet se ShBA-ja është e shqetësuar që ushtria izraelite nuk është gati për ofensivën tokësore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Raportohet se administrata e presidentit Joe Biden të ShBA-së është e shqetësuar se Izraelit i mungojnë qëllimet e arritshme ushtarake për operacionet e saj në Gaza, duke i shtyrë zyrtarët amerikanë që të besojnë se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit nuk janë ende të gatshme për operacionin tokësor.

Zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar takime e telefonata maratonike me homologët e tyre izraelite për të diskutuar rreth operacionit tokësor, për të cilin shumë njerëz mendonin se do të niste të hënën, 17 ditë pas sulmit të Hamasit, gjatë të cilin u vranë mbi 1.400 persona. Ndërkohë, ushtria izraelite e i ka vazhduar pothuajse pa ndërprerje sulmet ajrore, për të cilat thotë se i kanë në shënjestër militantët e Hamasit, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, ka zhvilluar telefonata pothuajse të përditshme me homologun izraelit, Yoav Gallant, gjatë të cilave amerikani e ka theksuar rëndësinë për mënyrën e zhvillimit të operacionit tokësor në Gaza, ku militantët do të operonin nga tunelet dhe nga zonat me popullsi të dendur, raportoi të hënën gazeta “The New York Times”, duke cituar zyrtarë amerikanë, pa ua publikuar emrat.

Në një intervistë për televizionin ABC të dielën, zyrtari i lartë amerikan tha se operacioni tokësor që Izraeli planifikon që ta fillojë, mund të marrë dukshëm më shumë kohë sesa që i është nevojitur ShBA-së për ta larguar nga pushteti ISIS-in në Mosul të Irakut, kur ia ishte komandant i Komandës Qendrore të Ushtrisë së ShBA-së.

“Lufta urbane është tepër e vështirë. Shkon me ritëm të ngadalshëm. Kjo mund të jetë pak më e vështirë për shkak të rrjetit nëntokësor të tuneleve që Hamasi i ka ndërtuar me kalimin e kohës dhe, në të vërtetë, ata kanë pasur kohë të gjatë për t’u përgatitur për luftim”- shtoi sekretari Austin.

Zyrtarët amerikanë i thanë gazetës “The Times of Israel” të hënën se Izraeli duhet të vendosë nëse dëshiron që ta eliminojë Hamasin përmes kombinimit të sulmeve të sakta ajrore e bastisjeve me shënjestra nga forcat speciale, siç kishin bërë Shtetet e Bashkuara me ushtarët irakianë e kurdë në Mosul më 2017, ose nëse dëshiron që të nisë një operacion më të gjerë tokësor, siç kishin bërë trupat amerikane me forcat irakiane e britanike në Fallujah më 2004.

Një zyrtar izraelit i tha kësaj gazete të dielën se ministrat e kabinetit qeveritar vazhdimisht e kanë përmendur Fallujah si shembull të llojit të operacionit që duan ta shohin nga ushtria izraelite në Gaza.

Zyrtarët amerikanë thanë se të dyja strategjitë do të rezultonin në humbje të mëdha, edhe pse modeli i Fallujahs do të ishte shumë më i përgjakshëm edhe për ushtarët, edhe për civilët.

Kështu, zyrtarët amerikanë shtuan se Pentagoni e parapëlqen modelin e Mosulit, por edhe në atë betejë, nëntë mijë deri në 11 mijë civilë ishin vrarë, sipas agjencisë “Associated Press”.

Zyrtarët amerikanë i thanë gazetës “The Times of Israel” se ishin tërhequr nga bisedimet me homologët izraelitë, duke e pasur përshtypjen se ende nuk kishin parë një plan të arritshëm për veprim për arritjen e qëllimit të paraqitur nga kryeministri Benjamin Netanyahu që të çrrënjoset Hamasi.

Gazeta “The New York Times” raportoi të dielën se administrata e Bidenit gjithashtu donte kohë për ta shtuar nivelin e përgatitjes për ndonjë sulm të mundshëm ndaj caqeve amerikane në rajon nga grupet me bazë në Iran, të cilat beson se do të shtohen me vazhdimin e luftës.

Lajme të ngjashme