Grupet e fuqishme në Irak e Jemen e kërcënojnë ShBA-në në rast të ndërhyrjes në Gaza
Grupet e fuqishme të armatosura në Irak e Jemen, të afërta me Iranin, kanë kërcënuar se do të vënë në shënjestër caqe amerikane me raketa e dronë, nëse Uashingtoni ndërhyn për ta mbështetur Izraelin në konfliktin me Hamasin në Gaza, që tashmë po shfaq shenja të përhapjes në fronte të tjera.
Komentet kërcënuese erdhën pas përkrahjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara për kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj sulmeve të Hamasit dhe pas zotimit të ShBA-së për t’i ofruar Izraelit municion shtesë e për të dislokuar një grup sulmues në Mesdheun Lindor, raporton agjencia “Reuters”.
Në Irak, “Kataib Hezbollah”, grup i armatosur i fuqishëm me lidhje të ngushta me Iranin, tha se do të vinte në shënjestër baza amerikane me raketa e dronë si dhe forcat special amerikane, nëse Uashingtoni ndërhyn në konflikt.
Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar këtë grup për sulme në të kaluarën ndaj interesave të ShBA-së në Irak. Grupi i ka mohuar akuzat.
Shtetet e Bashkuara tash për tash kanë 2.500 trupa në Irak dhe 900 ushtarë të tjerë në Sirinë fqinje – në mision për t’i këshilluar dhe asistuar forcat lokale në luftë kundër ISIS-it, grup që më 2014 kishte marrë nën kontroll territor të gjerë në Irak e Siri.
Politikani irakian, Hadi Al-Amiri, udhëheqës i grupit politiko-ushtarak, Organizata Badr, që është e afërt me Iranin, bëri kërcënime të ngjashme të hënën.
“Nëse ata ndërhyjnë, ne do të ndërhynim... ne do t’i konsiderojmë legjitime të gjitha caqet amerikane”- tha ai të hënën.
Organizata Badr përbën një pjesë të madhe të Forcave të Mobilizimit Popullor të Irakut, organizatë paramilitare ushtarake që përmban shumë grupe të mbështetura nga Irani.
Forcat e Mobilizimit Popullor kanë shprehur “përkrahje pa mëdyshje” për grupet palestineze që luftojnë kundër Izraelit dhe Qeveria e Irakut ka thënë se operacionet palestineze janë rezultat i natyrshëm i atyre që i ka quajtur politika “shtypëse” nga Izraeli.
Në Jemen, udhëheqësi i Lëvizjes Houthi paralajmëroi të martën se ky grup do t’i kundërpërgjigjej çfarëdo ndërhyrjeje të ShBA-së në Gaza me dronë, raketa e opsione të tjera ushtarake.
Ai tha se Lëvizja Houthi ishte e gatshme për ta bashkërenduar ndërhyrjen me anëtarë të tjerë të së ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës”, që përbëhet nga grupe shiite të mbështetura nga Irani në Irak si dhe Hezbollahu libanez, që tashmë është bërë pjesë e përleshjeve.

