Thellohet epërsia e kandidatëve të Bidenit në dy shtete kyçe, Senati në duart e demokratëve - NACIONALE

Thellohet epërsia e kandidatëve të Bidenit në dy shtete kyçe, Senati në duart e demokratëve

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Epërsia e dy kandidatëve për senatorë nga radhët e Partisë Demokratike të ShBA-së në dy shtete kyçe – Arizona dhe Georgia - ndaj rivalëve të tyre nga Partia Republikane është thelluar lehtë të premten, në krahasim me një ditë më parë përderisa numërimi i votave po vazhdon.

Arizona, kandidati i Partisë Demokratike, Mark Kelly, qe në epërsi të konsiderueshme të enjten ndaj rivalit nga Partia Republikane, Blake Masters. Pas numërimit të 76 për qind të votave në këtë shtet, epërsia e demokratit qe pesë për qind ose mbi 95.000 vota.

Sidoqoftë, kjo epërsi u thellua edhe më shumë të premten, kur në televizionin CNN raportohet se janë numëruar 80 për qind e votave. Nga 5 për qind, epërsia është rritur në 5,6 për qind. Shprehur me numër të votave, nga dallimi prej rreth 95.000 votave, epërsia është shtuar në mbi 115.000 vota dallim.

Vëmendja më e madhe është në Georgia, ku rezultati është më i ngushti. Raphael Warnock i Partisë Demokratike qe në epërsi për vetëm 0,5 për qind të votave të enjten ndaj kandidatit të Partisë Republikane, Herschel Walker. Në këtë shtet janë numëruar 99 për qind e votave.

Përderisa numërimi ka vazhduar, epërsia e kandidatit të Partisë Demokratike ndaj rivalit të tij është rritur edhe në këtë shtet, edhe pse jo në masë të madhe, por mjaft e rëndësishme, duke e marrë parasysh rezultatin e ngushtë të garës. Nga 0,5 për qind, epërsia e të parit ndaj të dytit tani është 1,3 për qind. Dallimi mes dy kandidatëve tani është mbi 48.000 vota.

Nevada, kur të enjten qenë numëruar rreth 84 për qind e votave, i pari qe kandidati i Partisë Republikane, Adam Laxalt, me 49,4 për qind të votave, ndërsa pas tij qe kandidatja e Partisë Demokratike, Catherine Cortez Masto, me 47,6 për qind. Dallimi qe gati 15 mijë vota dhe favorit për fitore është kandidati republikan.

Sidoqoftë, të premten, kur në Nevada janë numëruar 88 për qind e votave, epërsia e kandidatit të Partisë Republikane ka rënë nga 1,8 në vetëm 1 për qind. Duke marrë parasysh se nuk janë numëruar edhe 12 për qind e votave, fitorja e kandidatit të Partisë Republikane në këtë shtet ende nuk është e garantuar.

Nëse epërsia e kandidatëve përkatës në tri shtete kyçe vazhdon dhe këto rezultate mbeten deri në fund, Partia Demokratike është në pozicion shumë më të favorshëm për ta ruajtur shumicën – dhe kjo vlen jo vetëm për shkak të epërsisë së dy kandidatëve të saj në Arizona dhe Georgia.

Nëse këta dy kanidatë shpallen fitues, Partia Demokratike do të ketë 50 ulëse, aq sa Partia Republikane, nëse kandidati i saj, që tash është në epërsi, fiton në Nevada. Në këtë rast, pushteti në Senat do të ishte tërësisht i baraspeshuar. Sidoqoftë, epërsinë Partisë Demokratike do t’ia jepte vota e nënpresidentes Kamala Harris, e cila e ka edhe pozitën e kryetares së Senatit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që vjen nga Partia Demokratike, është shprehur i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se dita e zgjedhjeve të mesit të mandatit qe një ditë e mirë për demokracinë.

Në anën tjetër, në Partinë Republikane ka përshtypje të përziera dhe mund të thuhet që partia që është në opozitë në qeverinë federale nuk e ka shënuar suksesin e pritur. Ish-presidenti Donald Trump duket se ka filluar një luftë të brendshme në parti kundër guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, të cilin mund ta shohë si rivalin kryesor për ta udhëhequr partinë dhe për t’u nominuar si kandidat për president në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024./Nacionale

Lajme të ngjashme