Me rezultatet aktuale, Partia Demokratike e Bidenit e ruan kontrollin e Senatit
Kur në Shtetet e Bashkuara janë numëruar shumica e votave për garën në të dyja dhomat e Kongresit, vëmendja është përqendruar në disa shtete me garë më të ngushtë. Gjërat janë më të paqarta sa u përket ulëseve në Senat, por Partia Demokratike është favorite për ta mbajtur shumicën, nëse vazhdon trendi i epërsisë së kandidatëve të saj në dy shtete kyçe: Arizona dhe Georgia.
Sipas projeksionit të televizionit CNN, Partia Demokratike ka siguruar 48 ulëse në Senat, ndërsa Partia Republikane 49. Për ta siguruar kontrollin në Senat, njëra parti duhet të ketë të paktën 51 ulëse. Nëse epërsia e kandidatëve përkatës në tri shtete kyçe vazhdon dhe këto rezultate mbeten deri në fund, Partia Demokratike është në pozicion shumë më të favorshëm për ta ruajtur shumicën – dhe kjo vlen jo vetëm për shkak të epërsisë së dy kandidatëve të saj në Arizona dhe Georgia.
Nëse këta dy kanidatë shpallen fitues, Partia Demokratike do të ketë 50 ulëse, aq sa Partia Republikane, nëse kandidati i saj, që tash është në epërsi, fiton në Nevada. Në këtë rast, pushteti në Senat do të ishte tërësisht i baraspeshuar. Sidoqoftë, epërsinë Partisë Demokratike do t’ia jepte vota e nënpresidentes Kamala Harris, e cila e ka edhe pozitën e kryetares së Senatit.
Në Arizona, kandidati i Partisë Demokratike, Mark Kelly, është në epërsi të konsiderueshme ndaj rivalit nga Partia Republikane, Blake Masters. Pas numërimit të 76 për qind të votave në këtë shtet, epërsia e demokratit është pesë për qind ose mbi 95.000 vota. Kështu, ai është favorit për ta fituar garën.
Vëmendja më e madhe është në Georgia, ku rezultati është më i ngushti. Raphael Warnock i Partisë Demokratike është në epërsi për vetëm 0,5 për qind të votave ndaj kandidatit të Partisë Republikane, Herschel Ëalker. Në këtë shtet janë numëruar 99 për qind e votave, por fituesi ende nuk dihet.
Në Nevada, kur janë numëruar rreth 84 për qind e votave, i pari është kandidati i Partisë Republikane, Adam Laxalt, me 49,4 për qind të votave, ndërsa pas tij është kandidatja e Partisë Demokratike, Catherine Cortez Masto, me 47,6 për qind. Dallimi është gati 15 mijë vota dhe favorit për fitore është kandidati republikan./Nacionale

