“The Telegraph”: Vuçiqi akuzohet se iu bashkua “snajperëve safari” të vrasjes së civilëve në Sarajevë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është akuzuar për përfshirje në ata që po quhen “snajperë safari” në Sarajevë gjatë luftës në Bosnjë, ku të huajt e pasur dyshohet se kishin paguar shuma të mëdha parash për të shtënë drejt civilëve, raporton gazeta e njohur britanike, “The Telegraph”.
Vuçiqi dyshohet se kishte qenë i pranishëm në njërën prej pozicioneve ushtarake mbi qytet, ku thuhet se të huajt kishin paguar për të qëlluar me armë në drejtim të civilëve gjatë rrethimit mes viteve 1992 e 1996, thuhet në artikullin e kësaj gazete.
Kanë dalë edhe pamje me video ku duket se tani presidenti serb shihej si burrë i ri duke udhëtuar në një automjet. Pretendimet kundër Vuçiqit – të cilat janë mohuar fuqishëm nga ai – janë bërë nga Domagoj Margetiq, gazetar hulumtues kroat.
Ai ka dorëzuar një ankesë për presidentin serb te prokurorët italianë, të cilët tashmë janë duke i hetuar akuzat se disa italianë, rusë e amerikanë kishin marrë pjesë në “snajperët safari” gjatë konfliktit.
Margetiqi tha: “Unë e kam informuar zyrën e prokurorit publik për tërë njohuritë e mia rreth lidhjes së Aleksandar Vuçiqit me safarit njerëzorë në Sarajevën e kohës së luftës. I kam bashkëngjitur tërë dëshmitë, video-materialet, dokumentacionin me foto, zë e video si dhe dokumentimin medial nga ajo kohë.”
Në ankesën e tij, gazetari kroat pretendon se Vuçiqi ishte "anëtar i një detashmenti paramilitar, nën kontrollin e Partisë Radikale Serbe nga Serbia, gjatë luftës më 1992 e 1993."
Ky njësit ishte “i stacionuar në një pozicion lufte... në varrezat hebraike në Sarajevë” – shtoi ai. Ato varreza ishin përdorur si pozicion i snajperëve nga forcat serbe.
Më shumë se 10 mijë njerëz ishin vrarë nga bombardimet me predha e zjarri i snajperëve gjatë rrethimit të qytetit, transmeton gazeta "Nacionale".
Margetiqi më tej pretendoi se të dhënat “e vendosin atë [Vuçiqin] pa asnjë dyshim në kohën dhe vendin e këtyre krimeve”.
Ai përmendi pamje me video nga viti 1993 ku, sipas gazetarit, Vuçiqi shihet duke mbajtur në dorë një pushkë.
Përkrahësit e presidentit serb e kanë hedhur poshtë këtë pretendim dhe kanë thënë se objekti që shihet në video ishte tripod i kamerës televizive, të cilën Vuçiqi po e mbante, sepse ishte duke punuar si gazetar atë kohë.
Vetë Vuçiqi ka thënë se objekti që shihet në video ka qenë çadër.
Suzana Vasiljeviq, zëdhënëse e presidentit serb, gazetës “The Telegraph” i tha: “Pretendimet e çuara përpara nga gazetari kroat, Domagoj Margetiq, paraqesin një rast tipik të dezinformimit dashakeq, i ndërtuar qëllimisht për ta dëmtuar kredibilitetin institucional të Republikës së Serbisë dhe presidentit të saj.”
“Presidenti Vuçiq nuk mori pjesë në aktivitete luftarake, nuk përdori armë dhe nuk pati asnjë rol në asnjë operacion të kohës së luftës” – shtoi ajo.