“The New York Times”: Udhëheqësit e Iranit në takim urgjent pas vrasjes së Haniyeh-ut
Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, raporton se Irani është duke mbajtur një takim urgjent të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare në rezidencën e liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, pas vrasjes së kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Hanieyeh, në Iran.
E përditshmja prestigjioze citoi dy zyrtarë iranianë për këtë raportim, përcjell gazeta “The Times of Israel”.
Në raportimin e gazetës amerikane theksohet se një takim i tillë mbahet vetëm gjatë “rrethanave të jashtëzakonshme”.
Esmail Ghaani, komandant i Forcave Kuds, që i mbikëqyr grupet prokura të Iranit, gjithashtu është duke marrë pjesë në takim, thuhet në raportin e gazetës “The New York Times”.
Aty gjithashtu citohet televizioni shtetëror iranian të ketë thënë se vrasja e kreut të byrosë politike të Hamasit do ta shtyjë marrëveshjen e armëpushimit në Gaza për disa muaj dhe do të nxisë hakmarrje nga grupet e mbështetura nga Irani në rajon.
Në raportim theksohet se deklaratat nga televizioni shtetëror iranian i pasqyrojnë pikëpamjet e liderit suprem dhe të Qeverisë.
Kush ishte Ismail Haniyeh?
I konsideruar si pragmatist, ai kishte vepruar si negociator në bisedimet për armëpushim gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, i ndërlidhur me aleatin kryesor të grupit, Iranin, dhe ishte takuar me presidentin turk, Rexhep Erdogan.
Thuhej se Haniyeh gjithashtu mbante lidhje të mira me udhëheqësit e fraksioneve të ndryshme palestineze, përfshirë rivalët e Hamasit.
Haniyeh ishte zgjedhur udhëheqës i byrosë politike të Hamasit më 2017 si pasardhës i Khaled Meshaal-it, por tashmë ishte figurë e njohur mirë, pasi kishte qenë kryeministër palestinez më 2006 pas një fitoreje të Hamasit në zgjedhjet parlamentare të atij viti./Nacionale