Televizioni shtetëror i Koresë Veriore ia censuron xhinset gazetarit britanik në ekran - NACIONALE

Televizioni shtetëror i Koresë Veriore ia censuron xhinset gazetarit britanik në ekran

4 javë më parë

nga NACIONALE

Televizioni shtetëror i Koresë Veriore, KCTV, ka hijezuar një palë xhinse që i kishte veshur gazetari veteran britanik, Alan Titchmarsh, si pjesë e censurës së shtetit të izoluar aziatik ndaj modës dhe kulturës së huaj.

KCTV-ja transmetoi të hënën një episod të emisionit “Sekretet e Kopshtit” të gazetarit Titchmarsh, që fillimisht ishte transmetuar në vitin 2010 në BBC, raporton televizioni CNN.

Në një moment, gazetari mund të shihet duke u ulur në gjunjë në një vend të përgatitur për lule dhe shikuesit e vëmendshëm mund të vërejnë se pjesa e poshtme e trupit të tij është hijezuar për ta fshehur pamjen e xhinseve që gazetari i ka veshur.

Titchmarsh-i i tha BBC-së se ky censurim i ka dhënë atij ca “respekt rruge”. “Kurrë nuk e kam parë veten si imperialist i rrezikshëm shkatërrues, përgjithësisht vlerësohem më tepër si komod dhe goxha i padëmshëm, prandaj në të vërtetë është paksa respekt rruge, apo jo” – tha ai.

Nam Sung-wook, profesor i Studimeve për Korenë Veriore në Universitetin e Koresë në Seul, i tha televizionit CNN se censura tregon se Koreja Veriore është duke e zbatuar në mënyrë të prerë Aktin për Refuzimin e Ideologjisë dhe Kulturës Reaksionare, i cili është miratuar rishtazi.

“Qëllimi i aktit është që banorëve të Koresë Veriore t’u ndalohet imitimi i shteteve të huaja në aspekte të ndryshme, përfshirë atë se si vishen dhe si flasin” – tha profesori.

Ai shtoi se xhinset janë ndaluar si simbol i imperializmit amerikan, por ca fleksibilitet është zbatuar ndaj vizitorëve të huaj, sepse atyre nuk mund t’u parandalohet veshja e xhinseve.

Peter Ward, hulumtues në Institutin e Sejongut në Kore të Jugut, tha se ky censurim është pjesë e një lufte kundër “kulturës dhe ideologjisë anti-socialiste”.

“Xhinset e kaltra lidhen me kulturën perëndimore “dekadente”, siç ishin të lidhura në Bashkimin Sovjetik, dhe Kim Jong Il-i i kishte urdhëruar zyrtarët që t’i hiqnin qafe ato që në vitet e nëntëdhjeta” – shtoi ai.

“Ata kanë pasur fushata kundër kulturës anti-socialiste të paktën që nga të nëntëdhjetat e hershme. Intensiteti i këtyre fushatave është rritur, sidomos nga viti 2020” – tha më tej hulumtuesi Ward.

Me Aktin për Refuzimin e Ideologjisë dhe Kulturës Reaksionare, që ishte miratuar në atë periudhë, popullsisë i ndalohet shpërndarja, shikimi ose dëgjimi i secilës përmbajtje kulturore që vlerësohet se është anti-socialiste.

Shkeljet dënohen me disa vjet punë të rëndë për sasi të vogël të materialit të ndaluar dhe madje edhe me vdekje për sasi më të madhe të përmbajtjes së tillë.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme