Telefonata e Trumpit, vendimi i FIFA-s dhe reagimi i Belgjikës: Krejt çka po ndodh me rastin Balogun
Ndeshja e së hënës mbrëma mes Shteteve të Bashkuara dhe Belgjikës në Kupën e Botës ka shkaktuar debat politik e sportiv, pasi presidenti amerikan Donald Trump pranoi publikisht se kishte telefonuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të kërkuar rishikimin e kartonit të kuq të sulmuesit amerikan Folarin Balogun.
Balogun, golashënuesi kryesor i ekipit amerikan, ishte ndëshkuar direkt me karton të kuq në fitoren e ShBA-së ndaj Bosnje-Hercegovinës në fazën e 1/16-ave. Vendimi fillestar do ta linte atë jashtë përballjes eliminuese ndaj Belgjikës. Por Komisioni i Pavarur Disiplinor i FIFA-s vendosi ta pezullojë zbatimin e dënimit për një vit, duke i hapur rrugë aktivizimit të tij në sfidën për një vend në çerekfinale.
Trump tha në Zyrën Ovale se kishte parë episodin dhe, si “dashamirës i sportit”, kishte arritur në përfundimin se vendimi i arbitrit ishte i gabuar. “Nuk ishte faull, nuk ishte as shkelje,” tha Trump para gazetarëve. Presidenti amerikan shtoi se kishte telefonuar Infantinon dhe kishte kërkuar “një rishikim” të rastit.
Megjithatë, teksa përpiqej ta paraqiste ndërhyrjen si kërkesë për drejtësi sportive, Trump e lidhi debatin edhe me pretendimet e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Duke folur për ndeshjen me Belgjikën, tha: “Ne do të kemi ekip të plotë dhe Belgjika do të ketë ekip të plotë. Dhe e dini çfarë? Nëse na mundin, atëherë mund të jenë vërtet krenarë. Në mënyrën tjetër, nëse na mundin, do të themi se ishte — do të thosha — e manipuluar, ashtu siç u manipulua zgjedhja në vitin 2020.”
Vendimi i FIFA-s ka shkaktuar reagime të asgora në Belgjikë dhe te zyrtarë të tjerë evropianë të futbollit. Federata belge e futbollit, RBFA, kërkoi shpjegime zyrtare nga FIFA, duke thënë se nuk kishte marrë as vendimin, as arsyetimin për lejimin e Balogun që të luante. Sipas federatës belge, ajo kishte mësuar për zhvillimin përmes raportimeve në media dhe më pas kishte dërguar një letër ku kërkonte kopje të vendimit dhe shpjegim për procedurën.
RBFA tha se përgjigjja e vetme nga FIFA ishte një letër ku korrespondenca belge konsiderohej si apelim, ku ishte caktuar një gjyqtar dhe ku federatës i jepej vetëm pak orë për ta plotësuar ankesën. “Nuk u dha asnjë informacion nga FIFA,” deklaroi federata belge.
Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prévot, e cilësoi situatën si shqetësuese. “Nëse një telefonatë është vërtet ajo që shpjegon këtë vendim të pakuptueshëm, kjo do të përbënte minimin e rregullave më themelore të futbollit dhe sportit,” tha ai.
Përballë kritikave, Gianni Infantino doli me sqarim publik, duke deklaruar se organet gjyqësore të FIFA-s veprojnë në mënyrë të pavarur. “Organet gjyqësore të FIFA-s janë të pavarura. Ato veprojnë në mënyrë autonome, zbatojnë Kodin Disiplinor të FIFA-s dhe vendosin rastet bazuar në rregulloret e zbatueshme dhe faktet konkrete para tyre,” deklaroi ai.
Infantino pranoi se kishte marrë telefonatë nga Trump, por tha se presidentit amerikan i kishte shpjeguar se çështja ishte pjesë e një procesi ligjor në organet e pavarura të FIFA-s. “Po, unë diskutoj rregullisht çështje që lidhen me Kupën e Botës me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, dhe për këtë çështje mora një telefonatë nga Presidenti Donald Trump,” tha Infantino. Ai shtoi se merr telefonata edhe nga krerë shtetesh, zyrtarë qeveritarë, aktorë të futbollit dhe drejtues biznesi nga e gjithë bota.
Sipas FIFA-s, vendimi për Balogun u mbështet në nenin 27 të kodit disiplinor, i cili lejon që organi gjyqësor të pezullojë plotësisht ose pjesërisht zbatimin e një mase disiplinore.
Trump këmbënguli se nuk i kishte thënë Infantinos “çfarë të bënte” dhe se, sipas tij, vendimin nuk e kishte marrë presidenti i FIFA-s, por një komision. “Mendoj se ishte një komision që e mori vendimin, dhe ata morën vendimin e duhur, sepse, së pari, nuk ishte faull, dhe ti do të shohësh një ndeshje me lojtarët më të mirë,” tha Trump.