Të paktën tetë të vrarë nga sulmi rus në një restorant në Kramatorsk të Ukrainës
Një restorant në Kramatorsk të Ukrainës u godit nga një raketë ruse të martën. Të paktën tetë persona u vranë dhe 56 të tjerë u plagosën, sipas shërbimeve emergjente.
Një raketë tjetër goditi një fshat në periferi të Kramatorskut, duke lënduar pesë persona, por pasojat më të rënda ishin në restorant, ku të paktën tre fëmijë ishin në mesin e të vdekurve, raporton agjencia “Reuters”.
“Shpëtuesit janë duke punuar nëpër rrënojat e ndërtesës së shkatërruar dhe duke kërkuar njerëz që ndoshta janë nën to”- thanë zyrtarët e shërbimeve emergjente në rrjetin “Telegram”.
Një raketë ruse goditi disa ndërtesa edhe në Kremenchuk, në pjesën qendrore të Ukrainës, saktësisht një vit pas sulmit në një qendër tregtare, ku ishin vrarë të paktën 20 persona. Nuk u raportua për pasoja në njerëz nga sulmi i ri.

“Vrapova këtu pas shpërthimit, sepse kisha marrë një kafene me qira… Gjithçka është rrënuar këtu. Asgjë nga xhamat, dritaret ose dyert nuk ka mbetur. Gjithçka që shoh janë shkatërrimi, frika dhe tmerri”- tha Valentyna, 64 vjeçe.
Guvernatori i Donetskut, Pavlo Kyrylenko, i tha televizionit kombëtar se njerëzit dukeshin nën rrënoja. Ai shtoi se gjendja e tyre nuk dihej, por tha: “Ne kemi përvojë për largimin e rrënojave.”
Në fjalimin e zakonshëm të mbrëmjes, presidenti Volodymyr Zelensky tha se këto sulme tregojnë që Rusia “meriton vetëm një gjë si pasojë e asaj që e ka bërë – humbjen dhe një tribunal”.