Të paktën 6 të vdekur nga uragani në Florida, dëmet janë të mëdha dhe mijëra fluturime janë anuluar - NACIONALE

Të paktën 6 të vdekur nga uragani në Florida, dëmet janë të mëdha dhe mijëra fluturime janë anuluar

1 vit më parë

nga Lirim Krasniqi

Gjashtë persona të vdekur u gjetën në një lagje në një qytet të Floridas.

Këto vdekje janë konfirmuar në qarkun Charlotte, Florida, tha komisioneri i qarkut Chris Constance për CNN.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Fort Myers, Kevin Anderson i tha CNN se uragani shkatërroi qytetin.

"Kemi përmbytje të mëdha në qendër të qytetit, shumë pemë janë shembur dhe janë dëmtuar çatitë e shtëpive. Duket si një zonë lufte", tha Anderson. Ai shtoi se ende nuk është raportuar asnjë vdekje në Fort Myers, por ai u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi.

Më shumë se tre mijë fluturime u anuluan

Linjat ajrore kanë anuluar më shumë se dy mijë fluturime sot dhe më shumë se një mijë fluturime nesër.

Kurse presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se qeveria federale do të mbulojë 100 për qind të kostove të Floridës për përpjekjet e saj kundër uraganit.

Biden miratoi kërkesën e guvernatorit Ron DeSantis për një deklaratë të përshpejtuar të fatkeqësisë së madhe.

"Unë fola me Guvernatorin DeSantis këtë mëngjes dhe përsëri ofrova mbështetjen maksimale federale. Në fillim të kësaj jave, miratova kërkesën e tij për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë federale për shtetin, për masa mbrojtëse të menjëhershme për shpëtimin e jetës, përfshirë kërkimin dhe shpëtimin, strehimoret dhe ushqimin. Më herët këtë mëngjes, miratova kërkesën e fundit të guvernatorit për një deklaratë të përshpejtuar të fatkeqësisë së madhe", tha Biden në një fjalim. /Nacionale/

Lajme të ngjashme