Të paktën 21 persona kanë humbur jetën nga zjarri në Rripin e Gazës, mes tyre edhe fëmijë
Të paktën 21 persona kanë humbur jetën në një zjarr që shpërtheu sot në një vendbanim refugjatësh në Rripin e Gazës, njoftuan shërbimet shëndetësore dhe emergjente. Ka më shumë të plagosur, ndër të vdekurit ka edhe fëmijë.
Zjarrfikësve iu deshën më shumë se një orë për të vënë nën kontroll zjarrin që shpërtheu në majë të një ndërtese banimi katërkatëshe në kampin e dendur të refugjatëve Jabalia në Rripin verior të Gazës. Salah Abou Leila, drejtori i kampit, tha se shtatë fëmijë ishin në mesin e të vdekurve.
Ministria: Sasitë e mëdha të karburanteve të depozituara që kanë marrë flakë janë fajtore për zjarrin
Lëvizja palestineze Hamas, e cila është në pushtet në Rripin e Gazës, dhe shërbimet e sigurisë deklaruan se 21 persona vdiqën.
Sipas elementeve të para të hetimit, Ministria e Brendshme bëri të ditur se zjarri është shkaktuar nga sasi të mëdha karburanti të depozituara që janë ndezur dhe kanë përfshirë me shpejtësi objektin. Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e quajti atë një tragjedi kombëtare dhe shpalli ditë zie.
Hussein Al-Sheikh, sekretari i përgjithshëm i bordit ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), tha se Autoriteti Palestinez i kishte bërë thirrje Izraelit të hapte pikën kufitare Erez për të lejuar transportin e njerëzve të plagosur rëndë nga enklava e Gazës në spitalet në Izrael.
Jeta pa energji elektrike në Rripin e Gazës
Jabalia është një nga tetë kampet e refugjatëve në Gaza, i cili me 2.3 milionë banorë është një nga zonat më të dendura të populluara në botë dhe gjendja ekonomike është e mjerueshme.
Energjia elektrike është e pakët në enklavën palestineze dhe zjarret shtëpiake nuk janë të rralla pasi banorët u drejtohen burimeve alternative për gatim dhe ndriçim, duke përfshirë llambat e vajgurit. Këtë vit, Gaza ka pasur mesatarisht 12 orë energji elektrike në ditë, nga vetëm shtatë orë pesë vjet më parë, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.
Rreziqe të reja kërcënojnë në dimër kur banorët djegin qymyr për t'u ngrohur. Enklava palestineze është e rrethuar në veri dhe lindje nga territori izraelit, në perëndim nga deti dhe në jug nga Egjipti. /Nacionale/