Të paktën 15 të vrarë në trazirat e Iranit, përfshirë një djalë 9 vjeç
Së paku 15 persona janë qëlluar për vdekje në Iran, përfshirë pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe një djalë 9 vjeç, në incidente të ndara përderisa vendi e përjetoi njërën nga netët më serioze të protestave në nëntë javët e kaluara.
Në përvjetorin e kryengritjes së vitit 2019, agjencitë shtetërore të lajmeve fajësuan disa terroristë në dy motoçikleta për vrasjen e shtatë njerëzve në një qendër tregtare të qytetit jugor, Izeh Khuzesta, raporton gazeta “The Guardian”.
Sidoqoftë, protestuesit thanë se disa pjesëtarë të grupit “Basil” vranë disa njerëz, përfshirë një djalë 9-vjeçar, i cili ndodhej në një veturë me babanë e tij. Agjencitë shtetërore të lajmeve thanë se dy vullnetarë të këtij grupi janë në mesin e të vdekurve, ndërsa dhjetë të tjerë janë lënduar.
Pesë njerëz të tjerë u vranë në zonën e qytetit Isfahan, përfshirë disa pjesëtarë të forcave të sigurisë. Raportimet për disa raste të tjera fatale e çuan numrin e përgjithshëm të viktimave në 15 gjatë natës.
Agjencitë shtetërore të lajmeve e përcollën linjën qeveritare se gjoja forca të panjohura anti-qeveritare dhe terroristët e ISIS-it janë përgjegjës për vrasjet, por dëshmitarët pretenduan se janë qëlluar me armë civilë të paarmatosur.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve gjatë protestave të fundit ka shkuar në 348, sipas agjencisë për të drejtat e njeriut, “Harana”, edhe pse është e pamundshme që të vërtetohen shifrat.
Agjencitë qeveritare të lajmeve thanë se vrasja e këtyre njerëzve mund të jetë shenjë se protestat janë duke u shndërruar në kryengritje të armatosur. Një hetim për plumbat në trupat e të vrarëve pritet të zhvillohet së shpejti. Ka gjasa që tani të zhvillohet një betejë e gjerë propagande, në të cilën autoritetet shtetërore do të pretendojnë se këto protesta janë “serrë” për “sirianizimin” e Iranit dhe shkatërrimin e rendit publik.
Të paktën pesë protestus deri më tani janë dënuar zyrtarisht me vdekje, sipas qendrës mediale për sistemin e gjyqësorit. Njëri nga protestuesit është dënuar me pretendimin se i ka vënë flakën një ndërtese qeveritare.
Protestat në Iran filluan pas vdekjes së gruas 22-vjeçare, Mahsa Amini, por tashmë janë shndërruar në protesta më të gjera kundër regjimit. Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka krahasuar këto protesta me një revolucion.
Duke folur të mërkurën në Indonezi, presidenti francez tha: “Diçka që ka ndryshuar [në Iran], është ky revolucion i grave, i të rinjve të Iranit, duke i mbrojtur vlerat universale si barazia gjinore. Është e rëndësishme që të lavdërohen guximi dhe legjitimiteti i kësaj lufte.”
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme i Iranit, Ahmad Vahidi, ka pretenduar se disa agjentë francezë të inteligjencës janë arrestuar. “Njerëz të kombësive të tjera janë arrestuar në trazira, disa prej të cilëve kanë luajtur rol të madh. Kishte elemente nga agjencia franceze e inteligjencës dhe ata do të trajtohen sipas ligjit”- tha ai.

