Iran, policia qëllon me armë në një stacion metroje dhe rrah gratë pa mbulesa në kokë - NACIONALE

Iran, policia qëllon me armë në një stacion metroje dhe rrah gratë pa mbulesa në kokë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Forcat iraniane të sigurisë kanë hapur zjarr ndaj njerëzve në një stacion metroje në Teheran dhe kanë rrahur gratë që nuk mbanin mbulesa të flokëve, ndërsa protestat për vdekjen e Mahsa Amini kanë hyrë në muajin e tretë.

Pamje të shpërndara në mediat sociale tregojnë pasagjerë duke vrapuar drejt daljeve me shumë prej tyre që rrëzohen dhe shkelen gjatë ikjes, ndërkohë që policia nisi të qëllojë me armë mes turmës.

Ndër të tjera, pamjet tregojnë edhe policinë duke rrahur gratë që ndodheshin në trena të cilat nuk mbanin mbulesë të flokëve.

Kujtojmë se, demonstratat në Iran nisën pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini, një grua 22-vjeçare kurde e cila ishte arrestuar për shkelje të kodit të veshjes.

E këto protesta tashmë në muajin e tretë, u intesifikuan pasi organizatorët bënë thirrje për tre ditë aksion në përkujtim të “Nëntorit të Përgjakshëm” të 2019-ës, ku qindra persona humbën jetën gjatë protestave kundër rritjes së çmimit të karburanteve.

“Ne do të luftojmë! do vdesim! Ne do ta marrim përsëri Iranin! janë thirrjet e protestuesëve të dëgjuara në videot e shpërndara. Ndërkohë janë regjistruar edhe pamje duke u vënë flakën shamive të kokës. AFP, ka raportuar se në përleshjet gjatë natës kanë humbur jetën të paktën gjashtë persona.

E në fillim të këtij muaji 272 deputetë iranian votuan për zbatimin e dënimit me vdekje për krime të rënda kundër shtetit me kërkesë që të merret një qëndrim më i ashpër kundër trazirave. Deri më tani me vdekje janë dënuar pesë protestues.

Lajme të ngjashme