Tanket izraelite futen më thellë në Qytetin Gaza, së paku 20 të vrarë nga sulmet ajrore
Forcat izraelite vazhduan drejt zemrës së Qytetit Gaza të mërkurën, duke e rrezikuar jetën e palestinezëve që kishin qëndruar me shpresën se presioni në rritje ndaj Izraelit për armëpushim do të nënkuptonte që ata nuk do t’i humbnin shtëpitë e tyre.
Forcat izraelite, të cilat filluan t’i afroheshin qytetit me mbi 1 milion banor në gusht, i kanë shpërfillur thirrjet për ta ndalur ofensivën për të cilën Qeveria thotë se e synon shkatërrimin e bastionit të fundit të Hamasit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Mjekët thanë se të paktën 20 njerëz u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën, kur sulmet ajrore izraelite goditën një strehimore ku po qëndronin familje të zhvendosura afër një tregu në mes të qytetit. Dy njerëz të tjerë u vranë në një shtëpi afër asaj zone, thanë ata.
Ushtria izraelite tha se ishte duke e analizuar sulmin e raportuar ndaj strehimores, ku pamjet e siguruara nga agjencia “Reuters” shfaqnin njerëz duke kërkuar nën rrënoja.
“Ishim duke fjetur nën kujdesin e Zotit, nuk kishte asgjë – ata nuk na njoftuan dhe nuk na dhanë madje asnjë shenjë – ishte befasi” – tha Sami Hajjaj.
“Ka fëmijë dhe gra, rreth 200 njerëz ndoshta, gjashtë – shtatë familje, ky kënd është plot me familje” – shtoi ai.
Në zonën suburbane të qytetit, Tel Al-Hawa, tanket izraelite hynë në pjesë të populluara duke i detyruar njerëzit që të ngujoheshin në shtëpi, ndërsa tanke të tjera u panë të stacionuara afër spitalit “Al-Quds”. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se një stacion i oksigjenit është dëmtuar.
Tanket gjithashtu i janë afruar spitalit më të madh të Gazës, “Al-Shifa”, sipas dëshmitarëve dhe mediave të Hamasit.
Qindra mijëra njerëz kanë ikur nga Qyteti Gaza për në pjesët më jugore të enklavës, por shumë të tjerë mbeten atje, duke thënë se nuk kanë asnjë vend të sigurt ku do të mund të shkonin./Nacionale