Talibanët kërkojnë ndihmë ndërkombëtare pas tërmetit që vrau mbi 1 mijë persona në Afganistan
Talibanët në Afganistan kanë bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare, pasi vendi po përballet me pasojat e një tërmeti shkatërrues me magnitudë 6.1 ballë.
Zyrtarët lokalë kanë njoftuar se tërmeti ka lënë të vrarë mbi 1 mijë njerëz, e të paktën 1,500 të tjerë lënduar.
Më e prekura nga ky tërmet ka qenë provinca Paktika, ndërsa OKB-ja është në përpjekje për të siguruar strehim dhe ndihma ushqimore.
Tërmeti i sotëm, i cilësuar si më vdekjeprurësi që ka goditur vendin në dy dekada është një sfidë e madhe për talebanët, lëvizja islamike e cila rifitoi pushtetin vitin e kaluar pas rënies së qeverisë të mbështetur nga perëndimi.
Tërmeti goditi rreth 44 km nga qyteti i Khost dhe sipas BBC-së, lëkundjet janë ndjerë deri në Pakistan dhe Indi.
Zyrtarët, po ashtu kanë njoftuar se ende nuk dihet numri i njerëzve të ngecur nën rrënoja, ndërkohë që punonjësit e shëndetësise dhe ndihmës kanë thënë se po përballen me shumë vështirësi në operacionin për shpëtim për shkak të shiut të dendur.
OKB-ja dhe agjencitë e ndihmës në Pakistanin fqinj janë duke ndihmuar me ekipe dhe furnizime mjekësore.