Suedia thotë se Iraku ia ka dënuar me vdekje tre shtetas, mund të pësojë edhe një tjetër - NACIONALE

Suedia thotë se Iraku ia ka dënuar me vdekje tre shtetas, mund të pësojë edhe një tjetër

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tre shtetas suedezë janë dënuar me vdekje në Irak për shkak të përfshirjes së tyre në të shtëna me armë dhe një tjetër gjithashtu mund ta marrë dënimin e njëjtë për një krim tjetër, tha të enjten Ministria e Jashtme e Suedisë.

Qeveria suedeze e thërriti në takim të ngarkuarin me punë të Irakut muajin e kaluar për të protestuar kundër dënimit me vdekje për njërin prej tre të përfshirëve në të shtëna.

Suedia nuk e ka në fuqi dënimin me vdekje dhe e kundërshton përdorimin e tij në të gjitha rrethanat, raporton agjencia “Reuters”.

Ministria e Jashtme tha se tashmë kishte marrë konfirmim se dy suedezë të tjerë janë dënuar në lidhje me krimin e njëjtë dhe u është shqiptuar dënimi me vdekje.

“Të dhënat që i kemi pranuar për dënimet me vdekje janë tepër serioze dhe ne jemi duke punuar për t’u siguruar që dënimet të mos ekzekutohen” – thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie.

Në qershor, gazeta “Aftonbladet” kishte raportuar se burrat ishin përfshirë në të shtëna me armë kundër një shtetasi tjetër suedez në Irak në janar.

Ministria tha se kishte pranuar një raport se një suedez i katërt është dënuar gjithashtu me vdekje për një krim tjetër të lidhur me drogën, por se nuk mund t’i konfirmonte të dhënat./Nacionale

Lajme të ngjashme