Suedia dhe Finlanda konfirmojnë angazhimin kundër terrorizmit
Suedia dhe Finlanda konfirmuan sot angazhimin e tyre në luftën kundër terrorizmit, vuri në dukje Turqia pas një takimi të përfaqësuesve turq, suedez dhe finlandez në Finlandë në lidhje me hyrjen e dy vendeve nordike në NATO, të cilën Ankaraja aktualisht po e bllokon.
“Finlanda dhe Suedia përsëritën angazhimin e tyre, të shprehur në memorandumin trepalësh të nënshkruar në fund të qershorit, për solidaritet dhe bashkëpunim të plotë me Turqinë në luftën kundër të gjitha formave dhe dukurive të terrorizmit”, thuhet në njoftimin për shtyp nga zyra e presidentit turk.
Turqia bllokoi hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO
Që nga mesi i majit, Turqia, një anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, ka bllokuar procesin, duke akuzuar të dy vendet për mbrojtjen e luftëtarëve kurdë nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), të cilat Ankaraja i konsideron organizatave terroriste.
Në fund të qershorit, ministrat e jashtëm turk, suedez dhe finlandez nënshkruan një memorandum që hap rrugën për anëtarësimin e dy vendeve në NATO.
Të nesërmen Turqia i dërgoi Finlandës dhe Suedisë një kërkesë për ekstradimin e 33 personave, shumica e të cilëve Ankaraja i konsideron terroristë, pas së cilës presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përmendi menjëherë premtimin e Suedisë për ekstradimin e 73 terroristëve.
Memorandumi i nënshkruar në fund të qershorit tregon vetëm se Finlanda dhe Suedia do t'i përgjigjen kërkesave (turke) për ekstradim, pa specifikuar ndonjë numër.
“U ra dakord që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të interesuara të forcohet në nivel teknik për të arritur progres”, njoftoi të premten zyra e presidentit turk.
Një takim i ri trepalësh duhet të mbahet në vjeshtë
Ankaraja javën e kaluar i bëri thirrje Suedisë që të ekstradojë terroristët. "Ata po mashtrojnë veten nëse mendojnë se Turqia do të besojë se e kanë përmbushur premtimin e tyre duke ekstraduar kriminelët e zakonshëm", tha ministri turk i drejtësisë Bekir Bozdag pas shpalljes së ekstradimit të parë.
Një takim i ri trepalësh do të mbahet në vjeshtë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës pas takimit të parë të mbajtur sot në Helsinki. Rreth njëzet nga 30 vendet anëtare të NATO-s kanë ratifikuar kërkesën e dy vendeve nordike për anëtarësim.
Stokholmi dhe Helsinki braktisën politikën e tyre tradicionale të neutralitetit duke shprehur dëshirën e tyre për t'u bashkuar me NATO-n pas pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit. /Nacionale/