Stoltenberg: NATO-ja në bisedime për t’i vënë armët bërthamore në gjendje gatishmërie
NATO-ja është në bisedime për të dislokuar më shumë armë bërthamore, për t’i nxjerrë ato nga depot dhe për t’i vendosur në gjendje gatishmërie, përballë rrezikut në rritje nga Rusia dhe Kina, tha të hënën sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.
Ai i tha gazetës britanike “The Telegraph” se kishte konsultime të drejtpërdrejta mes vendeve anëtare për ta përdorur transparencën rreth arsenalit bërthamor si mjet parandalues, raporton agjencia “Reuters”.
“Transparenca ndihmon për ta komunikuar porosinë e drejtpërdrejtë që ne, natyrisht, jemi një aleancë bërthamore” – tha ai.
“Qëllimi i NATO-s është, natyrisht, një botë pa armë bërthamore, por për aq gjatë sa armët bërthamore ekzistojnë, ne do të mbetemi një aleancë bërthamore, sepse një botë ku Rusia, Kina dhe Koreja Veriore kanë armë bërthamore, e NATO-ja nuk ka, është botë më e rrezikshme” – shtoi Stoltenbergu.
Javën e kaluar, ai kishte thënë se armët bërthamore janë “garancia përfundimtare e sigurisë” e NATO-s dhe mjet për ta ruajtur paqen.
Presidenti rus, Vladimir Putin, vazhdimisht ka paralajmëruar se vendi i tij do të mund të përdorte armë bërthamore për ta mbrojtur veten në rrethana ekstreme.
Kreu i Kremlinit i akuzon Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre se po e shtyjnë botën buzë një ballafaqimi bërthamor duke i dhuruar Ukrainës armë me vlerë të miliarda dollarëve, disa prej të cilave po përdoren kundër territorit rus.
NATO-ja, që ka marrë një rol më të madh në bashkërendimin e dërgesave të armëve në Ukrainë, rrallë flet publikisht për armët bërthamore, edhe pse dihet që ShBA-ja ka dislokuar bomba bërthamore në disa shtete evropiane./Nacionale