“S’po mund të marr frymë”: Policia amerikane e publikon videon e burrit që vdiq pas arrestimit - NACIONALE

“S’po mund të marr frymë”: Policia amerikane e publikon videon e burrit që vdiq pas arrestimit

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Policia në Ohio të Shteteve të Bashkuara ka publikuar një video të një burri me ngjyrë, i cili vdiq në një spital lokal, pasi disa herë u kishte thënë policëve “nuk po mund të marr frymë”, përderisa ata e kishin shtrirë në dyshemenë e një kafeneje dhe ia kishin vënë prangat, duke i ringjallur kujtimet për vrasjen e George Floyd-it më 2020.

Nga pamjet e kamerës në trupin e një polici, që u publikuan të enjten nga Departamenti i Policisë së Canton-it, policët shihen duke e kapur burrin e identifikuar si Frank Tyson, 53 vjeç, i cili dyshohej se ishte larguar nga vendi i një aksidenti me një veturë të vetme më 18 prill, raporton agjencia “Reuters”.

Departamenti i Policisë së Canton-it nuk qe menjëherë i qasshëm për koment rreth videos, e cila u publikua në internet nga disa media lokale, ose për t’i konfirmuar hollësitë e incidentit.

Videoja 36-minutëshe fillon me një polic patrullues që i afrohet një veture që kishte goditur një shtyllë elektrike dhe me një kalimtar rasti që i thotë atij se drejtuesi i automjetit ishte larguar dhe kishte hyrë në një kafene.

Paralajmërim: Pamje të ndjeshme!

Policët pastaj shihen duke hyrë në lokal, ku e gjejnë të dyshuarin duke qëndruar aty. Fillon një grindje, kur policët mundohen që t’ia kapin duart të dyshuarit dhe ai disa herë bërtet me fjalët “ata po mundohen që të më vrasin” dhe “thirreni komandantin”.

Policët e rrëzojnë Tysonin në dysheme dhe ia vendosin prangat. Njëri prej tyre shihet duke ia vendosur gjurin në shpinë, afër qafës, për rreth 30 sekonda.

Tysoni mund të dëgjohet duke thënë disa herë: “Nuk po mund të marr frymë. Nuk po mundem... largohu nga qafa ime”, ndërsa polici i bërtet me fjalët “qetësohu” dhe “mirë je” para se të ngrihej.

Videoja më pas e shfaq Tysonin të palëvizshëm, me fytyrë nga dyshemeja për rreth gjashtë minuta, përderisa policët flasin me mysafirët në kafene.

Policët pastaj e kontrollojnë gjendjen e të dyshuarit, i cili si duket është pa ndjenja. Ata mund të dëgjohen duke thënë “a po merr frymë?” dhe “a ka puls?”

Tetë minuta pasi ia kishin vënë prangat, policët ia heqin ato të dyshuarit dhe fillojnë që t’ia japin ndihmën e parë. Mjekët pastaj arrijnë në vendin e ngjarjes dhe e nxjerrin Tysonin jashtë me barelë, duke e futur në një autoambulancë, shihet në video.

Tysoni vdiq në një spital lokal, sipas mediumit WKYC. Shkaktari zyrtar i vdekjes nuk është përcaktuar./Nacionale

Lajme të ngjashme