Sot ka zgjedhje në ShBA – kush zgjidhet dhe pse kanë peshë për botën? - NACIONALE

Sot ka zgjedhje në ShBA – kush zgjidhet dhe pse kanë peshë për botën?

3 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Më 8 nëntor, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbahen ato që njihen si zgjedhjet e mesit të mandatit. Këto zgjedhje mbahen çdo dy vjet. Të drejtë vote kanë amerikanët mbi moshën 18-vjeçare.

Qytetarët amerikanë kanë mundur të votojnë edhe para kësaj date, sipas procesit të njohur si votim i hershëm, që mund të bëhet duke shkuar fizikisht në qendra të caktuara të votimit ose përmes postës.

Kush po zgjidhet?

Kongresi i Shteteve të Bashkuara përbëhet nga dhoma e lartë – Senati – dhe dhoma e ulët – Dhoma e Përfaqësuesve.

Ligjvënësit e zgjedhur në Senat quhen senatorë dhe kanë mandat gjashtëvjeçar. Zgjedhje federale ka për çdo dy vjet. Ulëset janë të ndara në tri kategori dhe rreth një e treta e tyre është në zgjedhje çdo dy vjet.

Sidoqoftë, ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve zgjidhen çdo dy vjet. Kjo u mundëson votuesve kontroll më të drejtpërdrejtë dhe më të shpeshtë të drejtimit të pushtetit, shkruan televizioni CNN.

Në këto zgjedhje do të zgjidhen edhe disa guvernatorë të shteteve të ShBA-së. Shtetet kanë rreglla të ndryshme për zgjedhjen e guvernatorëve. 48 nga 50 shtetet e ShBA-së i zgjedhin guvernatorët me mandat 4-vjeçar. Dy shtete, Neë Hampshire dhe Vermont, i zgjedhin guvernatorët me mandat 2-vjeçar. Shumica e shteteve, 36 prej 50 sosh, i zgjedhin guvernatorët gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit të qeverisë qendrore.

Si qëndron baraspesha e pushtetit?

Partitë politike kanë më shumë pushtet, kur e kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve duke e fituar shumicën e ulëseve. Partia që ka më shumë ulëse, kontrollon komisione që e shkruajnë ligje dhe vendos se cilat masa hidhen për votim. Në Dhomën e Përfaqësuesve, shumicën e posedon partia që ka të paktën 218 ulëse dhe, duke supozuar se anëtarët e saj mund të pajtohen për një kandidat, e zgjedh kryetarin/en e këtij organi. Në Senat, shumicën e siguron partia që ka të paktën 51 ulëse.

Pse kanë peshë për botën?

Zgjedhjet e 8 nëntorit në ShBA do të sjellin rezultate të shumta, jo vetëm për këtë shtet, por edhe për botën. Bëhet fjalë për atë se kush do ta kontrollojë Kongresin – organ legjislativ i vendit. Partia Demokratike e presidentit Biden tash për tash ka shumicë të ngushtë në Kongres, që e nënkupton mundësinë e miratimit të më shumë ligjeve.

Sidoqoftë, shumë ulëse do të përcaktohen në këto zgjedhje dhe ato mund ta ndryshojnë baraspeshën e pushtetit. Si rezultat, këto zgjedhje mund ta përcaktojnë pozicionin e Shteteve të Bashkuara për çështje të interesit global, si klima, kujdesi shëndetësor për gratë, arsimi, imigrimi, dhuna me armë dhe mënyra se si ShBA-ja do ta udhëheq komunitetin global për trajtimin e këtyre çështjeve.

Në Senat, Partia Demokratike dhe Partia Republikane kanë shifra të njëjta të ulëseve, 50 me 50, por vota e nënpresidentes Kamala Harris i jep epërsi Partisë Demokratike. Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve është Nancy Pelosi, gjithashtu nga Partia Demokratike. Këtë vit, zgjedhjet mbahen për të gjitha ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve, për 35 nga 100 ulëset e Senatit dhe për guvernatorët e 36 shteteve.

Partia Republikane njihet për nënvlerësimin e krizës klimatike, për refuzimin e legjislacionit për kontrollimin e armëve, për qëndrimin më konservator ndaj emigrantëve dhe përkrahjes së ndalimit të abortit. Për shembull, ish-presidenti Donald Trump i kishte tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën më 2017. Republikanët e mbrojnë të drejtën e amerikanëve për të mbajtur armë dhe i kanë kundërshtuar përpjekjet për t’i ashpërsuar ligjet për armët pas sulmeve masive në vend.

Këto zgjedhje mund ta përcaktojnë kontrollin që e ka Partia Demokratike në të dyja dhomat e Kongresit, duke e mundësuar çuarjen përpara të qeverisë federale, përfshirë çështjet ndërkombëtare. Nëse republikanët e marrin kontrollin në këto dy organe të rëndësishme, e ardhmja e agjendës legjislative të qeverisë qendrore mund të jetë në rrezik.

Zgjedhjet e mesit të mandatit ofrojnë një perspektivë edhe për të ardhmen e vendit, sepse janë zgjedhjet e para në nivel vendi që nga humbja e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Kjo garë do të shërbejë si test për ta matur ndikimin e ish-presidentit Trump në vend dhe ndoshta mund të japë shenjë për atë se kush mund të marrë më shumë vota në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024./Nacionale

Lajme të ngjashme