A mund të ndikojnë zgjedhjet në ShBA në luftën e Ukrainës?
Nëse fitojnë kontrollin e Kongresit Amerikan në zgjedhjet e nëntorit, republikanët kanë paralajmëruar se ata mund të ulin ndihmën për Ukrainën.
Çfarë kanë thënë republikanët?
Më herët në muajin tetor, Kevin McCarthy - republikani më i lartë në Dhomën e Përfaqësuesve – tha se një Kongres i kontrolluar nga republikanët nuk do të ishte i prirur të shkruante një "çek të bardhë" për Ukrainën.
"Unë mendoj se njerëzit do të jenë në një recesion dhe ata nuk do t'i shkruajnë një çek bosh Ukrainës," është shprehur ai.
Aktualisht, partia e tij është e preferuara për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, dhomës së ulët të Kongresit që sipas Kushtetutës së ShBA-së, nis të gjitha rezolutat për shpenzimet, e si kryetar, McCarthy do të vendoste se cilat projektligje do të shkonin në votim.
Perveç tij, dyshime për ndihmë ndaj Ukrainës kanë shprehur edhe republikanë. Për shembull, në muajin maj senatori i Misurit, Josh Hawley, tha se ndihma për Ukrainën "nuk është në interesat e Amerikës".
Këto komente duket se kanë nxjerrë në pah ndarjet brenda partisë, me ish-zëvendëspresidentin Mike Pence që ka dënuar ashpër "apologët" e Putinit dhe anëtarët e partisë së tij, duke thënë se, "do të bënin të shkëputemi nga bota më e gjerë".
Në mënyrë të ngjashme, edhe udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell i ka bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë të rrisë ndihmën për Ukrainën, duke thënë se ShBA-ja duhet "të bëjë më shumë për të furnizuar vendin me mjetet që i duhen”.
Në anën tjeter, vetëm republikanët - 57 në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 11 në Senat - në pranverë, votuan kundër një pakete ndihme prej 40 milionë dollarëshe për Ukrainën.
Pra, a do ta tërheqë ShBA-ja vërtet ndihmën?
Në Evropë, ekziston një shqetësim për atë që mund të ndodhë.
"Nëse Amerika tërhiqet, Putini mund të rrëmbejë fitoren," ka thënë për Washington Post Tobias Ellwood, një deputet i lartë britanik që kryeson komitetin e zgjedhur të mbrojtjes në parlament.
Por zyrtarët ukrainas dhe vëzhguesit me bazë në ShBA, thonë se pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve të nëntorit, nuk ka gjasa që ndihma për vendin të ulet ndjeshëm në afat të shkurtër.
Ndërkohë, duke folur për BBC në Kiev, ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksii Reznikov është shprehur se takimet e tij të mëparshme me ligjvënësit amerikanë - ku janë përfshirë demokratë dhe republikanë - e kanë lënë atë të sigurt.
"Kam marrë shumë sinjale se nuk ka rëndësi se kush do të drejtojë... mbështetja dypartiake për Ukrainën do të vazhdojë," ka thënë ai.
Çfarë mendon publiku amerikan për luftën në Ukrainë?
Sondazhet në vend sugjerojnë se mbështetja e popullit amerikan për Ukrainën është ende e lartë, por ndërsa lufta vazhdon të zvarritet ka shenja se ajo është zbutur.
Sipas Pew Resarch, muajin e kaluar, 20% e amerikanëve janë shprehur se ShBA është duke i ofruar shumë ndihmë Ukrainës, përqindje që në mars ishte vetëm 7.
Megjthatë, sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos rreth 73% të amerikanëve janë shprehur në favor të ndihmës për Ukrainën.

